Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj 12 zyrtarëve të Administratës Tatimore të Kosovës dhe një biznesmeni, që u arrestuan të marten gjatë një aksioni që u zhvillua në disa lokacione.
Kjo u konfirmua nga Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
13 personat e arrestuar në aksionin e djeshëm, dyshohen për veprën penale “Mashtrim në detyrë”.
Zyrtarët e ATK-së dyshohet se kanë pranuar si të rregullta 23 fatura fiktive për pronarin e tri bizneseve në Prizren në vlerën prej 18 milionë eurove.
Faturat, sipas njoftimit të Prokurorisë, thuhet se kanë qenë në lidhje me “kinse ndërtimin e një hoteli i cili veç ka qenë i ndërtuar me parë”.
Veç të arrestuarve, në kërkim janë edhe dy të pandehur, pronarë të një biznesi në Podujevë.