Lajme

Për 5 vjet, Ambasada e Sllovenisë lëshoi mbi 12 mijë e 500 viza për kosovarët-tregon rregullat pas liberalizimit

01/09/2024 09:51
nga:G B

Mbi 12 mijë e 500 viza janë lëshuar nga Ambasada e Sllovenisë në 5 vjetët e fundit.

Ky është numër i përgjithshëm i vizave që ka lëshuar kjo ambasadë në këto 5 vjet.

Nga Ambasada e Sllovenisë kanë bërë të ditur për Front Online, kanë bërë të ditur se në këtë numër nuk janë përfshirë edhe aplikimet për leje qëndrim.

“Në 5 vitet e fundit, Ambasada e Republikës së Sllovenisë në Prishtinë ka lëshuar 12,663 viza. Përfshihen të gjitha llojet e vizave (C, D) dhe janë të përfshira të gjitha qëllimet e udhëtimit. Megjithatë, ky numër nuk përfshin aplikimet për leje qëndrimi”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës për Front Online.

Nga kjo Ambasadë nuk kanë dhënë detaje për shumën që është paguar këto vite për viza.

Sipas tyre, ata nuk posedojnë shifra të ngjashme për shkak se tarfiat për viza ndryshojnë, dhe nuk janë të njëjta.

“Për sa i përket tarifave, ju lutemi ta keni parasysh se tarifat për një vizë qëndrimi afatshkurtër janë të ndryshme nga ato për një qëndrim afatgjatë. Përjashtohen nga tarifa të gjithë fëmijët deri në 6 vjeç, për fëmijët nga 6 deri në 12 vjeç paguaj gjysmën e shumës. Përveç kësaj, shumë kategori aplikantësh janë të përjashtuar nga pagesa e tarifës së vizës”, kanë thënë nga kjo Ambasadë.

E për të gjithë ata që dëshirojnë të aplikojnë për punë, studime, por edhe për bashkim familjar, duhet të aplikojnë për leje qëndrim.

“Personat që aplikojnë për punë, studime dhe bashkim familjar (nëse nuk është bashkim familjar me një shtetas të BE-së) nuk aplikojnë për vizë, por për leje qëndrimi. Tarifa për lejen e qëndrimit është e ndryshme nga tarifa e vizave”, thuhet të përgjigjen e Ambasadës.

Kosovës i janë hequr vizat nga 1 janari i vitit që sapo kemi hyrë.

Me heqjen e vizave, qytetarët mund të qëndrojnë deri në 90 ditë brenda 6 muajsh në zonën Shengen.

Udhëtimi pa viza duhet të shërbejë për vizita turistike, çështje familjare, takime biznesi, programe studimesh ose të ngjashme.

Me vete qytetarët duhet të kenë adresën e akomodimit, biletën e kthimit dhe dëshmi të mjeteve të mjaftueshme financiare, sigurimi shëndetësor rekomandohet por nuk është i detyrueshëm.

Udhëtimi pa viza nuk iu mundëson të punoni. Nëse mendoni të aplikoni, duhet të aplikoni për vizë pune në zyrën konsullore të shtetit përkatës. Qëndrimi pa viza nuk u ofron të drejtën për të kërkuar azil në asnjërin vend të zonës Shengen.

Abuzimet mund të çojnë në gjoba financiare dhe të rezultojnë me dëbim ose ndalim të hyrjes në zonën Shengen deri në 5 vjet.