Targat, vizat e njohja e pasaportave të Kosovës nga ana e Spanjës janë disa nga ngjarjet me të cilat Qeveria e Kosovës po mburret në fillimin e këtij viti.
Madje, për njohjen e pasaportave nga ana e Spanjës meritat iu atribuuan Gani Jakupit.
Por, me këto nuk pajtohet opozita.
Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se më së paku merita për vizat ka Qeveria Kurti, derisa është rastësi që ka ndodhur në këtë qeveri, sikurse edhe vendimi i Spanjës për pasaportat kosovare.
“Sa i takon çështjes së liberalizimit të vizave, më së paku ka merita në këtë proces të stërzgjatur nga BE, Qeveria Kurti sepse kriteret e përcaktuara për lëvizje të lirë veç ishin arritur kohë me parë, ndërkaq është rastësi që ajo kanë ndodhur për gjatë kësaj periudhë kohore, njëjtë sikurse edhe vendimi i Spanjës për njohjen e pasaportës së Kosovës”, thotë ajo.
Krasniqi e quan hipokrizi që thonë se është meritë e kësaj qeverie, derisa VV është fajtore për vonimin e liberalizimit të vizave.
“Është hipokrizi të thuash se është meritë e kësaj qeverie një rezultat i tillë. Për të vetmin gjë që kanë meritë në këtë proces partia në pushtet me Kryeministrin Kurti, është vonesa e liberalizimit të vizave, përderisa ishte kundërshtar i marrëveshjeve që ishin kusht për lëvizje të lirë. Arritje dhe meritë e kësaj qeverie do të ishte sjellja e ndonjë njohje të re për pavarësinë e Kosovës apo anëtarësim në organizata ndërkombëtare, por nuk ka ndodhur asnjëra e as tjetra, të cilat varen direkt nga puna e tyre”, vlerëson deputetja për Gazeta Blic.
Krasniqi shton se Qeveria duke mos pasur rezultate, po tenton të manipulojnë qytetarët duke përvetësuar meritat që nuk i takojnë.
“Nuk e di sa mund të ketë qenë befasi kur vetë fakti se BE kishte vendosur për heqjen e liberalizimit të vizave për Kosovës është nënkuptuar se do të hapen dyert për qytetarët e vendit në të gjitha vendet e zonës shengen, pra që janë në kuadër të BE-së e pjesë e saj është edhe Spanja, pra është një proces zinxhiror i cili ka për motiv vendimin e BE-së dhe jo punën e kësaj qeverie, sepse e thash edhe më lart, puna e tyre do të shihej në rastin e njohjeve apo anëtarësimeve, por fatkeqësisht nuk ka ndodhur asnjëra e as tjetra, e në mungesë të rezultateve këta tentojnë që në çdo rast të manipulojnë qytetarët duke përvetësuar meritat edhe në raste kur nuk ju takojnë”, deklaron Rrezarta Krasniqi.
Ndërsa, deputetja e LDK-së, Time Kadrijaj, thotë për Gazeta Blic se të mirat që janë rezultat i qeverive të kaluara ia faturon vetes, e dështimet qeverive të kaluara, duke harruar që kriteret për viza janë hequr në vitin 2018.
“Kjo qeveri, ato çka janë të mira e që janë si rezultat i qeverive të kaluara ia faturon vetes, e dështimet qeverive të kaluara. Shpesh po harrojnë që janë në qeveri e që kanë përgjegjësi. Vizat, kushtet dhe kriteret janë plotësuar në vitin 2018, gjë që se ka ndonjë meritë kjo qeveri. Targat dhe tentimi i implementimit të kësaj marrëveshje pa koordinim i ka sjellë pasoja Kosovës sepse ende edhe sot po i bartim këto pasoja si shtet”, potencon ajo.
Sipas deputetes, qeveria është befasuar më së shumti për njohjen e pasaportave nga Spanja.
“Ndërsa, njohja e pasaportës së Kosovës nga Spanja ka qenë befasi për të gjithë e më së shumti është befasuar qeveria, pasi haber s’ka pasur për këtë çështje”, thotë Time Kadrijaj./GazetaBlic/
“Çmenduri propagandistike, Qeveria merr meritat për vizat dhe ‘Super Ganiu’ për vendimin e Spanjës”
Spanja deklarohet rreth njohjes së pasaportës së Kosovës
KE: Spanja njohu pasaportën, s’ka kushte shtesë për udhëtim


