Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se java e parë e këtij viti ka qenë javë e fillimeve të mbara për qytetarët e Kosovës dhe shtetin, teksa ka përmendur heqjen e regjimit të vizave, largimin e targave ilegale të Serbisë nga Kosova e njohjen e atyre RKS nga Serbia, si dhe vendimin e Spanjës për njohjen e pasaportës së Kosovës.
Lidhur me këto merita që Qeveria Kurti po ia atribuon qeverisjes së saj të mirë, ish ambasadori Avni Arifi, ka folur për Gazeta Blic.
Ai thotë se kjo është qeveria e parë që s’ka asnjë sukses apo meritë për duartrokitje dhe të gjitha ato që i përmend Kurti, s’kanë lidhje me veprimet e Qeverisë së tij.
“Që nga Qeveria e parë e pasluftës pra Qeveria e Bajram Rexhepit kjo është e vetmja Qeveri që nuk e ka asnjë sukses madhor apo meritë të pa sfiduar për ndonjë sukses që do të meritonte konsideratë apo duartrokitje. As liberalizimi i vizave, as njohja e pasaportave nga Spanja nuk e kanë asnjë lidhje me veprimet e ekzekutivit ë Kosovës por rrjedhojë e zhvillimeve qoftë gjeostrategjike të BE qoftë zhvillimeve të brendshme të Spanjës”, vlerëson Arifi.
Ndërsa, lidhur me targat e rrymën në veri thotë se janë pjesë e pakos së Brukselit e Ohrit.
“Dorën në zemër targat ilegale, rryma disa zhvillime në veri mund të konsiderohen suksese të konsiderueshme por ato duhet të vështrohem vetëm si pjesë të pakos së Brukselit e Ohrit e vetëm pas përfundimit të (mos) implementimit të pakos së tërë mund të japin një vlerësim përfundimtar”, potencon Arifi për Gazeta Blic.
Ai thekson se “produkt ekskluziv i Qeverisë janë sanksionet e BE”.
Ish ambasadori shton se është çmenduri propagandistike tendenca e Qeverisë për t’i marrë meritat për vizat dhe atribuimi i vendimit të Spanjës “Super Ganiut”.
“Për fund, për çdo njeri të Kosovës që ka njohje bazike të proceseve politike tendenca e Qeverisë për me i “vjedhë” meritat për vizat dhe atribuimi i vendimit të Spanjës “Super Ganiut” paraqet një çmenduri propagandistike për masovizimin e injorancës kolektive”, deklaron Avni Arifi./Gazeta Blic/


