Lajme

“Akuza qesharake”/ Raci për liberalizimin e vizave: Ka mundur të ndodhë edhe vite më parë por ndodhi në Qeverinë Kurti

01/03/2024 22:51
nga:G B

Analisti politik, Gazmir Raci, në një prononcim për Gazeta Blic, ka folur për liberalizimin e vizave, meritat për të dhe akuzat pozitë-opozitë për meritat për heqjen e vizave.

Ai thotë se Kosova e ka merituar liberalizimin qysh para katër vitesh pasi i ka përmbushur kriteret, por që vendimi ka qenë politik nga ana e BE-së dhe në të kanë ndikuar reformat në shumë fusha.

“Kosova e ka merituar liberalizimin e vizave qysh para katër viteve sepse në aspektin profesional, të standardeve dhe kritereve meritore është administrata publike e Kosovës me institucionet e Kosovës, që i kanë zbatuar të gjitha kriteret që janë kërkuar. Madje janë kërkuar edhe kritere shtesë dhe institucionet e Kosovës i kanë plotësuar ato. Natyrisht që vendimmarrja në fund ishte politike, unë besoj që reformat e filluara në Kosovë në drejtësi, në administratë publike, në luftën kundër krimit, në shtrirjen e sovranitetit, kanë ndikuar shumë në vendimmarrjen politike të BE-së për liberalizimin e vizave, sepse Kosova nuk kishte më probleme tjera që mund ta pengonin ose jo liberalizimin e vizave”, vlerëson Raci për Gazeta Blic.

Ai i quan qesharake akuzat pozitë-opozitë, derisa thotë se liberalizimi ndodhi në Qeverinë Kurti dhe jo më herët, kur ka mundur të ndodhë para katër apo pesë vitesh.

“Akuzat janë pak qesharake, pasi liberalizimi ndodhi me këtë qeveri, është fakt, nuk mund a mohojmë. Kjo qeveri është në vitin e tretë të qeverisjes së saj dhe në vitin e tretë ndodhi liberalizimi i vizave, po të ishte ashtu siç po thotë opozita, liberalizimi do të ndodhte para tre, katër apo pesë viteve, por nuk ka ndodhur, ndodhi tash kur kjo qeveri është në pushtet dhe natyrisht kjo qeveri ka nisur disa reforma interesante, që unë besoj se kanë ndikuar në vendimmarrjen politike të BE-së për t’ia hequr vizat Kosovës, e sidomos lufta kundër krimit e korrupsionit, reforma në drejtësi, këta kanë pasur efekt të madh në këtë vendimmarrje të BE-së, sepse janë standarde që krijohen të zbatohen nga secili shtet”, deklaron analisti Gazmir Raci./Gazeta Blic/

Liberalizimi i vizave/ Pantina: Qeveria Kurti më së paku meritore