Liberalizimi i vizave ka ndodhur me 1 janar të këtij viti, pas shumë vite pritjesh.
E, meritat për këtë pushteti ia dedikoi qeverisjes së saj, ndërsa që opozita i reagoi duke thënë se ishte pikërisht VV ajo që ia ka humbur 6 vite heqjes së vizave.
Lidhur me këtë, Shqipe Pantina për Gazeta Blic, thotë se meritore për vizat është secila qeveri që nga pavarësia, njësoj siç mbartin dhe faj.
“Secila qeveri që nga pavarësia ka merita për liberalizim, ashtu siç edhe mbart faje për vonimin kaq të madh”, thotë ajo.
Por, sipas Pantinës, më së paku merita për liberalizimin ka qeveria aktuale, ndërsa që meritat kryesore i kanë shërbyesit civilë të institucioneve.
“Por, më së paku merita për liberalizim të vizave ka qeveria aktuale. Meritat kryesore për liberalizim i kanë shërbyesit civilë të institucioneve të Kosovës të cilët kanë punuar në përmbushjen e kushteve teknike, e që pastaj janë penguar nga veprimet politike të qeverive, sepse vonesat në liberalizim sidomos në këto pesë vitet e fundit kanë qenë kryekëput politike”, deklaron Shqipe Pantina./Gazeta Blic/


