Lajme

Kosova numëron orët e fundit deri në liberalizimin e vizave

12/30/2023 21:13
nga:Sh R

Udhëtimet pa viza, për vizita, seminare, trajnime e turizëm, do të jenë më të lehta. Pritjet para ambasadave trashmë do t’i takojnë së kaluarës. Në fakt, heqja e vizave pritet ta thyejë edhe një mit për Evropën. Secili do ta ketë mundësinë për të parë se si jetohet atje, e mbi të gjitha, sa shumë duhet të punohet. Prandaj, shumë nga kosovarët që kanë pasur mundësi të punojnë në vendet perëndimore, kanë zgjedhur sërish atdheun.

Një numër i madh i kosovarëve e kanë parë si mundësi më të mirë të jetës largimin nga Kosova.Vendet e perëndimit kanë qenë destinacionet kryesore për ta.Por, shumë prej tyre që janë larguar nga vendi drejt atyre Bashkimit Evropian, janë rikthyer sërish në Kosovë.

I tillë është qifti Xhafer dhe Adelina Trepça që pas 25 viteve qëndrimi në Austri, tre muaj më parë janë rikthyer në Kosovë. Të dy janë punësuar dhe thonë se nga ajo që fitojnë këtu, nuk ka dallim me vendin ku kanë jetuar për më shumë se dy dekada.

“Këta tre muaj e gjysmë që jemi ardhur këtu as një sekondë nuk e kam menduar Austrinë”, ka thënë Adelina Trepça bashkatdhetarë e rikthyer në Kosovë.

Kur Kosova numëron orët e fundit deri në liberalizimin e vizave, çifti Trepça thonë se askund nuk është më mirë se në shtëpinë e atdheun e tyre.

“Është mirë me pa, me kërkua, mirëpo më mirë se te shtëpia nuk e gjen askund”, tha Xhafer Trepça, bashkatdhetar i rikthyer.

Të tjerë, e kanë provuar punën në perëndim për një kohë më të shkurtër. Megjithatë, muaj më vonë, shumë prej tyre po kthehen serish në Kosovë. Arsyeja është se pritjet dhe realiteti janë shumë ndryshe nga ajo që panë. Një prej tyre është edhe Arian Krasniqi nga Prizreni.

” Kam shkuar në Gjermani para nja një viti e gjysmë për një punë më të mirë, një jetë më të mirë, por nuk më ka dal qysh e kam menduar “, ka thënë Krasniqi.

Në Klubin e Prodhuesve tregojnë se punëtorët, pasi e kanë lënë Kosovën dhe vendin e punës, janë kthyer prapë në atdhe.

“Katër rasate i kam që kanë shkuar në Evropë e kanë provua edhe janë kthyer prapë drejtë në vendin e punës dhe janë duke bo politika të mira dhe po ju tregojnë punëtoreve që nuk ka më lehtë dhe ma mirë”, tha Berat Mustafa, nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës.

Nga qeveria deklarojnë se kohëve të fundit, ka një trend të rikthimit të kosovarë nga vendet e Bashkimit Evropian.

“Kemi një numër të madh të qytetarëve që kanë jetuar me vitet të tëra jashtë vendit dhe që janë rikthyer ta transferojne dijen dhe ekspertizën e tyre nëpër komunat e Kosovës”, tha Liza Gashi, zëvendësministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Ndonëse, liberalizimi I vizave për Kosovën hyn në fuqi me 1 janar, kjo assesi nuk kupton mundësi udhëtimi për punë në vendet e zonës Shengen. Keqpërdorimi i qëndrimit pa vizë, nënkupton gjobë dhe ndalim hyrje në Shengen për pesë vjet./rtk