Sporti

Vit i pafat për Betim Halimin, u lëndua një ditë para debutimit me Gjilanin: U mërzita shumë, por gjeta forcën për t’u rikthyer

01/02/2024 12:09
nga:Mergim Rreci

Betim Halimi është në mesin e portierëve më të dalluar në futbollin kosovar.

Halimi u transferua tek skuadra e Gjilanit në gusht të këtij viti, por gjërat nuk shkuan aspak mirë në fillim të aventurës së tij tek ‘Skifterat’.

Fatkeqësisht, ai u lëndua një ditë para debutimit në ndeshjen ndaj Feronikelit ’74, madje vetëm dy minuta pa përfunduar stërvitja.

Në një rrëfim për ‘GazetaBlic Sport’, ai tha se vendosi që ta ndajë këtë moment, duke dashur që kujtimet e këqija të mbesin në vitin 2023 dhe që viti i ardhshëm të jetë vit i gjërave të mira.

“Erdha te Gjilani për të ju bashkuar një projekti të ri, me njerëz të ri dhe me ambicje. Ishin tejet serioz dhe mbi të gjitha korrekt. Filluam të ndërtonim një ekip kompetitiv dhe mezi prisja debutimin, pasi që klubi edhe në të kaluarën më kishte ofertuar, mirëpo për arsye të ndryshme nuk ishim dakorduar.

Por, para debutimit, një ditë para ndeshjes me Feronikelin ‘74 e thyeva gishtin e dorës së djathtë dhe u mërzita shumë. Nuk kishte edhe dy minuta që stërvitja të përfundonte dhe u lëndova. E ndjeva vetën të pafat dhe me shumë mëdyshje.

Trajtimi nga stafi i klubit, nga drejtuesit më ka bërë të gjej forcën dhe të punoj edhe më tepër për t’u rikthyer. Tani ndjehem mirë dhe nuk kam probleme.

Ndoshta një kujtim jo i mirë nga 2023, por vendosa ta ndaj këtë moment, për të mbyllur vitin dhe momentet jo të mira. Shpresoj dhe besoj që viti i ardhshëm të na gjej me momente sa më të mira dhe sa më pozitive, së bashku me klubin e Gjilanit dhe gjithë njerëzit e klubit”, përfundoi Halimi.

/GazetaBlic Sport/