Sporti

“Trajneri nuk më la ta gjuaja penalltinë ndaj Prishtinës”, portieri Rugji rrëfen momentin e tij më interesant gjatë vitit 2023

01/01/2024 12:12
nga:Mergim Rreci

Portieri i mirënjohur kosovar, Armend Rugji është pjesë e Fushë Kosovës që nga viti 2022.

Rugji u transferua tek kjo skuadër sa ishte në Ligën e Parë, me të cilën arriti të inkuadrohej në Superligë, shkruan GazetaBlic Sport.

37 vjeçari ka qenë në të kaluarën pjesë e disa skuadrave, duke qenë njëri ndër portierët me më përvojë në futbollin kosovar.

Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, ai ka kujtuar dy momente për vitin 2023, njërin si moment suksesi, kurse tjetrin si moment interesant.

Momenti më i bukur për këtë vit ka qenë inkuadrimi në Superligë me Fushë Kosovën, me skuadrën që u kthye pas një kohe të gjatë në nivelin elitar dhe ky ishte një moment për të mos u harruar. Kurse, momenti më interesant më ka ndodhur në ndeshjen ndaj Prishtinës në Superligë. E kisha një përshtypje se do të bëhet një penallti për ne dhe e luta trajnerin Burim Shala që unë ta ekzekutojë atë. Penalltia ndodhi, por trajneri nuk më lejoi që ta gjuaja atë“, tha Rugji.

Kujtojmë që portieri Rugji njihet si një ekzekutues i mirë i penalltive nga e kaluara dhe në shumë raste ka shënuar gola nga pika e 11 metërshit.

/GazetaBlic Sport/