Sporti

Altin Aliu: Kishim momente shumë të mira vitin e kaluar, sivjet tentojmë të jemi sa më lartë në tabelë

01/03/2024 10:42
nga:Lorik J

Altin Aliu ka pasur momente të mira në vitin 2023, teksa në gjysmë sezonin e fundit u rikthye në top formë dhe kishte paraqitje mjaft pozitive me ekipin e Malishevës.

Aliu ka theksuar se momentet më mira të vitit 2023 për të ishin triumfet në fillimin e këtij sezoni, ku Malisheva kishte fitore dhe rezultate pozitive të njëpasnjëshme.

“Momentet më të mira të këtij viti normalisht ishin fitoret të cilat i kemi arritur në fillim të këtij kampionati, mirëpo pa i harruar edhe këto të fundit të cilat kanë qenë mbresëlenese dhe të merituara, si dhe momentet e golave të cilet i kam shënuar”, tha fillimisht Aliu për ‘GazetaBlic Sport’

Ai veçon fitoret ndaj ekipeve të mëdha të futbollit në Kosovë – ndaj Prishtinës, Llapit e Dritës.

“Kam pasur momente të ndryshme, por të veçantat e këtij viti kanë qenë fitoret ndaj Prishtinës, Llapit e kryesisht ndaj Dritës, ku kemi treguar karakter të fortë, e do të tentojmë të jemi edhe më lartë në tabelë në sezonin pranveror”, përfundoi Aliu.

Kujtojmë se Malisheva e mbylli gjysmë sezonin në vendin e katërt me 29 pikë.

/GazetaBlic Sport