Lajme

Paralajmërimet për sulme nga Serbia/ Agusholli: Investitorët nuk duhet të shohin rrezik potencial

12/25/2023 13:16
nga:G B

Janë bërë tre muaj që nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit.

E, derisa për këtë ndaj Serbisë nuk janë vendosur sanksione dhe Milan Radoiçiq është ende i lirë, si organizator i këtij sulmi, ka paralajmërime për sulme të reja.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Radoiçiq po përgatit sulme të reja ndaj Kosovës.

Por, sa mund të ndikojnë këto paralajmërime për sulme, në largimin e investitorëve nga Kosova dhe frikën për investime të reja në Kosovë?

Lidhur me këtë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se në këtë kohë situata bëhet më komplekse me zgjedhjet në Serbi.

“Në kohë të ndjeshme si kjo, ku ‘paralajmërimet’ e Kryeministrit Kurti lidhen me mundësinë e sulmeve nga Serbia, situata bëhet edhe më komplekse duke pasur parasysh ngjarjet e fundit në Serbi, tentativat për puç pas zgjedhjeve dhe takimet e vazhdueshme të presidentit Vuçiç me ambasadorët rusë, që janë indikator shqetësues”, thotë ai.

Sipas deputetit, paralajmërimet janë thirrje për maturi e qetësi.

“Ndërkaq, paralajmërimet, siç po i quani ju, që disa mund t’i perceptojnë si shenja të pasigurisë, unë mendoj që janë thirrje për maturi dhe qetësi në kohë të vështira”, vlerëson ai për Gazeta Blic.

Agusholli, i cili është dhe anëtar i Komisionit për Ekonomi, investitorët nuk duhet të shohin rrezik potencial nga sulmet, derisa dihen raportet e mira me SHBA-të.

“Sa i përket investitorëve të huaj, përkundër këtyre zhvillimeve, ata kanë analizuar situatën e sigurisë dhe të stabilitetit në Kosovë para investimit. Ndaj, nuk duhet të shohin një rrezik potencial nga sulmet, veçanërisht duke pasur parasysh marrëdhëniet e mira të Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe me shumicën e shteteve që janë anëtare të NATO-s”, deklaron deputeti.

Ai madje shton se kjo periudhë mund të jetë rast i mirë për investitorët shqiptarë dhe diasporën, që të investojnë në Kosovë.

“Për investitorët shqiptarë dhe diasporën, kjo periudhë mund të konsiderohet si një rast i mirë për treguar solidaritetin dhe atdhedashurinë ndaj vendit, duke e shfrytëzuar potencialin e zhvillimit ekonomik në këtë periudhë sfiduese”, përfundon Gramos Agusholli./Gazeta Blic/

“Paralajmërimet për destabilizim të situatës po i bëjnë dëm vendit, nuk do të ketë konflikt të ri mes Kosovës dhe Serbisë”