Lajme

Kush shpenzoi më shumë për avokatë e vizita të familjarëve?

12/23/2023 21:05
nga:Sh R

Janë zërat kundërshtues të pretendimeve të prokurorëve të specializuar.

Përbërja e ekipeve mbrojtëse të të akuzuarve në Hagë, është me avokatë eminentë të vendeve të huaja.

Ndaj ata kanë edhe kostot e tyre, për një pjesë të të cilave kujdeset shteti i Kosovës.

Për dymbëdhjetë muajt e këtij viti, mbi 8 milionë euro shkuan për ta.

Më së shumti përfitoi mbrojtja e Jakup Krasniqi, mbi 1.5 milionë euro.

Vlera të njëjta, me nga 1 milionë e 430 mijë u destinuan për mbrojtjet e Kadri Veseli e Rexhep Selimit.

Ekipi mbrojtës i fundit që për një vit mori shifra milionëshe, është ajo e Hashim Thaçit, me 1.3 milion euro.

Afër milionëshit të parë, ishte mbrojtja e Pjetër Shalës, e cila u kompensua nga shteti i Kosovës me rreth 900 mijë euro.

Rreth 700 mijë euro, përfitoi mbrojtja e Salih Mustafës, dhe me nga pothuajse 400 mijë euro, ato të Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj.

Shteti i Kosovës, përmes Ministrisë së Drejtësisë mbulon edhe shpenzimet e familjarëve në vizitat e tyre në Hagë.

Ato përfshijnë fjetjen, ushqimin dhe biletat e aeroplanit. Në krye të listës, qëndron familja e Krasniqit, mbi 26 mijë euro, kurse në fund familja e Thaçit me zero euro. Me nga 24 mijë euro u kompensuan familjarët e Gucatit, Haradinajt e Selimit.

Ato pasohen nga familjarët e Veselit me 19 mijë euro. Konsiderueshëm më pak shifra, shkuan për familjarët e të akuzuarve të tjerë. Ajo e Salih Mustafës afro 10 mijë euro, e Pjetër Shalës me 6 mijë euro.

E vetëm 700 euro për familjarët e Sabit Januzi, i cili javëve të fundit filloi procedurën paraprake.