Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar pasi Zyra e Presidencës tha se Ramush Haradinaj nuk kishte pritur derisa presidentja Vjosa Osmani të lajmërohej për të nisur takimin.
Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, thotë për Gazeta Blic se s’ka qenë çështje e protokollit, por që Osmani ishte ende në takim me Lumir Abdixhikun dhe se ajo nuk e respektoi vetë orën që e kishte caktuar.
“Nuk ka qenë puna që protokolli do ta njoftonte presidenten për arritjen e zotit Haradinaj në takim dhe që Haradinajt nuk i pritej. Protokolli e ka njoftuar z. Haradinaj se Presidentja ishte akoma në takim me Kryetarin e LDK-së. D.m.th, ajo vetë e kishte caktuar orën e takimit dhe vetë nuk e kishte respektuar agjendën e vet. Kjo është e vërteta”, thotë Xhemaili për Gazeta Blic.
I pyetur nëse do të ketë një takim tjetër, siç u tha nga Presidenca që pritet të mbahet në ditët në vijim, zëdhënësi i AAK-së tha se do ta shqyrtojnë nëse kanë kërkesë.
“Për momentin nuk ka kërkesë. Në rast se do të ketë do ta shqyrtojmë”, deklaron Kushtrim Xhemaili./Gazeta Blic/
Presidenca: Haradinaj nuk priti, takimi me Osmanin nuk u mbajt për shkaqe protokollare


