Sporti

Vjen nga Gjakova, por është tifoz i ‘zjarrtë’ i Dinamo Zagreb, Amor Mula tregon emocionet para ndeshjes me Ballkanin

12/14/2023 12:57
nga:Mergim Rreci

Ballkani do të zhvilloj sonte ndeshjen e fundit dhe më të rëndësishme në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

Kampioni në fuqi i Kosovës do të përballet me gjigantin kroat Dinamo Zagreb në stadiumin legjendar ‘Maksimir’.

Suharekasit kanë udhëtuar drejt Zagrebit ditën e djeshme dhe janë gati për një ndeshje që pritet të jetë e rivalizuar deri në sekondat e fundit, duke marrë parasysh se është një ndeshje që vendos për fatin e skuadrës që kualifikohet tuje.

Pritet të jetë një atmosferë e jashtëzakonshme, me tifozët vendas që do të jenë në numër të madh të pranishëm dhe në përkrahje të skuadrës së tyre. Skuadra e Dinamo Zagreb ka edhe një tifoz të madh në vendin tonë, në Kosovë.

Amor Mula nga Gjakova është tifoz i ‘zjarrtë’ i kësaj skuadre dhe ka emocione të mëdha para këtij takimi, duke qenë për faktin se ka lidhje emocionale në të dyja anët, natyrisht për faktin se vjen nga Kosova dhe i gëzohet pa masë edhe suksesit të mundshëm të Ballkanit.

“Mund të them që këta dy tre muaj të fundit kanë qenë më të mirët e jetës time. Ardhja e Dinamo Zagrebit në Kosovë më dha emocione të jashtëzakonshme, ishte kënaqësi e madhe. Ka qenë një klub që e kam ndjekur një kohë të gjatë nga televizioni dhe kur u takova me futbollistë, drejtuesit e klubit dhe trajnerin, ishte diçka fantastike. Kam marrë dhuratë fanellën nga drejtuesit e klubit dhe futbollisti Josip Misic, u ndjeva mrekullueshëm“, tha fillimisht ai për ‘GazetaBlic Sport’.

“Emocionet janë shumë, shumë më të mëdha se në ndeshjen e parë. Ndodhemi në xhiron e fundit dhe për fat të keq vendoset mes skuadrës që e simpatizoi, Dinamo Zagreb dhe skuadrën nga vendim im Kosova, FC Ballkani. Normalisht si tifoz i Dinamos kam dëshirë që skuadra të kalojë grupet, por që mund të them se në këtë situatë jam i fituar nga të dyja anët, sepse edhe një sukses historik i Ballkanit do të bënte të lumtur“, vazhdoi tutje.

Krejt në fund, ai tregoi se do të udhëtojë në Kroaci pas 1 janarit, atje ku drejtori i kësaj skuadre i ka premtuar edhe një biletë vjetore.

“Pas 1 janarit do të vizitojë Kroacinë, Zagrebin. Do të jetë diçka e bukur që ta shoh nga afër skuadrën time të zemrës. Drejtori sportiv më ka premtuar një biletë vjetore, do të ketë edhe befasi të tjera”, përfundoi Mula në intervistën e tij.

/GazetaBlic Sport/