Ish-ministri i Financave, Haki Shatri thotë se me buxhetin e ndarë për vitin 2024 nuk po parashihet zhvillimi ekonomik.
Shatri për GazetaBlic thekson se, me këtë buxhet janë favorizuar vetëm katër komunat e Kosovës që janë nën udhëheqjen e partisë në pushtet, pra Vetëvendosjes.
“Në bazë të disa institucioneve të tjera që i përcjellin çështjet e buxhetit, ndarjet nuk janë bërë në mënyrë të drejtë ku janë favorizuar komunat ku pushtetin e ka VV’ja”, tha Shatri.
Shatri shton se komunat e udhëhequra nga VV’ja janë favorizuar me investime kapitale.
“Këto komuna janë favorizuar me kategorinë e investimeve kapitale sepse në kategoritë tjera nuk kanë se si, pasi rregullohen nga ligji”, thotë ai.
Tutje, Shatri tregoi edhe si mund të bëhen hilet mes komunave që ka VV’ja dhe komunave që kanë partitë e tjera opozitare.
“Komunat gjatë këtij viti kanë bërë kërkesa që më shumë projekte të mbështeten financiarisht, por gjithmonë kërkesat janë më të mëdha se mundësitë dhe kështu një numër i madh i tyre refuzohet”
“Tek këto refuzime mund të ketë edhe hile, sepse disa komunave ia pranojnë më shumë projekte, disave ua refuzojnë. Sipas raporteve të fundit, në katër komunat ku udhëheq VV’ja kanë projekte kapitale në vlerë sa 30 komuna tjera”, tha Shatri.
Krejt në fund, ai e quan këtë të padrejtë dhe jo humane.
“Kjo është ndarje e padrejtë, është padrejtësi e madhe, jo humane dhe nuk është në rregull”, tha Shatri për GazetaBlic.
Buxheti i vitit 2024: Qeveria Kurti po ndëshkon qendrat që i udhëheq PDK-ja


