Lajme

Osmani udhëton në Bruksel, prezanton Kosovën në samitin e BE-së

12/12/2023 13:25
nga:Sh R

Presidentja, Vjosa Osmani ka udhëtuar për Bruksel, ku do ta përfaqësojë Kosovën në samitin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Osmani ka udhëtuar me ftesë të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel.

“Në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Presidentja Osmani do të diskutojë nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit në dritë të sfidave të vazhdueshme të sigurisë në rajon dhe më gjerë, duke filluar me mbështetjen për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se liderë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel ndër të tjera do të diskutojnë për procesin e zgjerimit dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, bashkërendimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe tejkalimin e sfidave të përbashkëta.

Në kuadër të samitit, Osmani poashtu do t’i informojë krerët e shteteve dhe të BE-së lidhur me situatën e sigurisë në vend, pas sulmit të agresionit të Serbisë më 24 shtator.