Gjatë konferencës, Presidentja e Kosovës pati nderin të takohet me emra të rëndësishëm të skenës politike botërore.
Ajo gjithashtu zhvilloi bisedime konstruktive me liderë të tjerë të shteteve dhe qeverive, duke përfshirë presidentë dhe kryeministra nga një gamë e gjerë e vendeve, duke shtrirë spektrin e diplomacisë dhe bashkëpunimit të Kosovës në nivel të lartë.
“Përveç takimit me Lartmadhërinë e Tij, Presidentin e Emirateve, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, kisha mundësinë të takoj e të bashkëbisedoj edhe me të deleguarin e Presidentit Biden, ish-Sekretarin Kerry, Presidentin e Indonezisë, Presidentin e Kenias, Presidenten e Komisionit Evropian, Presidentin e Surinamit, Mbretin e Lesotos, Presidenten e Sllovenisë, Presidentin e Bullgarisë, Presidentin e Nigerisë, Kryeministrin e Shqipërisë, Kryeministren e Danimarkës, Kryeministrin e Eswatinit, Kryeministrin e Çekisë, Kryeministrin e Antigua dhe Barbuda, Kryeministrin e Suedisë, Kryeministrin e Sao Tome dhe Principe, Kryeministrin e Libanit, Zv. Presidentin e Gambisë, Drejtoreshën Ekzekutive të MCC-së, Administratorin e UNDP-së dhe liderë të tjerë”, ka shkruar presidentja Vjosa Osmani në Facebook.
Ndër aktivitetet e tjera, delegacioni i Kosovës shfrytëzoi mundësinë për të prezantuar hapat dhe iniciativat e vendit për të adresuar sfidat klimatike.
Ata paraqitën një vizion të qartë dhe strategji të bazuar në projekte inovative dhe partneritete me aleatë ndërkombëtarë, për të promovuar qëndrueshmërinë mjedisore dhe për të siguruar një të ardhme më të ndritur dhe të sigurt për qytetarët e Kosovës në përballjen me efektet e ndryshimeve klimatike.