Ish ushtaraku Afrim Veseli, ka folur për ushtrinë e Kosovës, kapacitetet e saj dhe rrugën drejt NATO-s, sot në Ditën e Forcës.
Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se anëtarësimi i Kosovës në NATO mund të përshpejtohet nëse veprohet në koordinim me SHBA-të, teksa shton se ky anëtarësim largon përgjithmonë rrezikun nga Serbia.
“Mendoj se procesi i anëtarësimit në NATO i FSK, për shkak të rrethanave gjeostrategjike mund të përshpejtohet, nëse Kosova vepron politikisht në koordinim me SHBA. Anëtarësimi i Kosovës në NATO, largon njëherë e përgjithmonë rrezikun permanent nga Serbia. Sepse kjo do të mbyllte njëherë e përgjithmonë derën e rreziqeve”, shprehet ai.
Sipas kolonelit Veseli, Kosova duhet vepruar shpejtë dhe të mos prodhojë kriza, teksa vlerëson se FSK ka kapacitete për t’u rreshtuar krahas ushtrive në NATO.
“Por, Kosova politikisht duhet të veprojë shpejt duke treguar orientimin e saj euro atlantik. Duke mos qenë vend që prodhon kriza. Si FSK kemi ecur mjaft mirë përpara, dhe mendoj se FSK është e gatshme me kapacitet e saj të rreshtohet krahas ushtrive në NATO”, thekson ai për Gazeta Blic.

Ish ushtaraku Afrim Veseli përpara obeliskut të lirisë, të cilin thotë se e ka realizuar pa shpenzime të Ministrisë, ideja dhe projekti i tij, ndërsa financimi është bërë nga bashkëluftëtari i tij, Fadil Dervisholli
Ai po ashtu thotë se FSK duhet të ruhet nga ndikimet politike dhe politika të qëndrojë larg saj dhe t’ia shtojë buxhetin FSK-së e t’ia ngritë pagave ushtarëve.
“FSK duhet të ruhet nga ndikimet politike brenda saj. Politika të qëndrojë larg saj. Të shtohet buxheti e me këtë nënkupton edhe rritja e pagave për ushtarë, që do të rriste motivin për realizim më të mirë të detyrave”, vlerëson ish ushtaraku.
Veseli thekson se ushtria e Kosovës është krijuar nga gjaku i bijve më të mirë të atdheut dhe është e shenjtë, teksa uron të gjithë për këtë ditë, duke shtuar se pa SHBA s’do të kishim ushtri.
“Ushtria jonë u krijua me gjakun e bijve më të mirë të atdheut dhe ka vazhduar me idealin e pjesëtarëve ndër vite, TMK, FSK e edhe tani në ushtri. Ajo është e shenjtë. Dua të uroj secilin ushtar të ushtrisë sonë me ditën e forcës dhe familjet e dëshmorëve të kombit, me gjakun e të cilit ngritëm ushtrinë tonë. Falënderim i përjetshëm SHBA për çdo gjë që bën dhe po bëjnë për FSK dhe Kosovën. Pa SHBA se s’do të kishim ushtri”, deklaron Afrim Veseli./Gazeta Blic/


