Sporti

Allegri: Nuk është ndeshje vendimtare, Interi favorit për titullin!

11/25/2023 22:14
nga:Mergim Rreci

“Jemi përgatitur mirë për ndeshjen e së dielës. Për ne do të jetë një etapë e rëndësishme, bën pjesë në rrugëtimin e rritjes së skuadrës. Luajmë kundër kryesuesve në klasifikim dhe skuadrës favorite për titullin“.

Këto janë këto fjalët e trajnerit të Juventusit, Massimiliano Allegri, para sfidës të së dielës me Interin, ku tekniku tenton të lërë barrën e presionit mbi zikaltërit. Teksa kërkon të “amortizojë” edhe rëndësinë e përballjes.

“Nuk do të vendosë asgjë, por për ne është një mbrëmje e rëndësishme. Skuadra po rritet dhe jam shumë i kënaqur, por mungojnë ende dhe shumë ndeshje. Do të jetë një mbrëmje e bukur futbolli, me stadiumin plot, por kampionati nuk përfundon këtu. Gjithsesi kishte shumë kohë që nuk luanim një ndeshje që vlen vendin e parë, duhet të kemi dëshirën për ta fituar“.

Në lidhje me formacionin dhe situatën e grupit për sa i përket dëmtimeve trajneri i bardhezinjve deklaroi .

“Rikthehet Alex Sandro, javën e ardhshme edhe Danilo. Locatelli është stërvitur me grupin por gjendjen e tij do ta vlerësojmë deri në fund.

Por si mund të mbulohet boshllëku i një mungese të mundshme?

“Në mesfushë kemi shumë opsione, nuk më duket një ide e mirë që të ndryshoj sistemin e lojës. Para janë mirë të gjithë, duhet të jenë vendimtarë me paraqitjet e tyre“.

Në fund një koment edhe për Chiesan, i cili performon më mirë me fanellën e kaltër të Italisë se sa me atë të Juventusit.

“Chiesa ka bërë ndeshje të mira në Kombëtare, por kishte bërë mirë edhe me ne më përpara. Se cili do të jetë qendërsulmuesi do ta vendos vetëm në fund“