Lajme

Mushkolaj: Mund të kemi një bashkëpunim Haradinaj-Kurti në zgjedhjet e ardhshme!

11/25/2023 12:18
nga:Y I

Në seancën e fundit plenare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) u veçua nga ‘blloku opozitar’ dhe i votoi marrëveshjet ndërkombëtare.

Kjo solli edhe fundit e bllokadës në Kuvend sa i përket votimit të këtyre marrëveshjeve, të cilat nuk ishin votuar muajt e fundit nga PDK-ja dhe AAK-ja.

Po përveç marrëveshjeve ndërkombëtare, AAK-ja, po i jep mbështetje qeverisë edhe në procesin e dialogut.

Ishte kryetari i këtij subjekti politik, Ramush Haradinaj, i cili e mbështeti hapur kryeministrin Kurti në Kuvend, pasi i njëjti u dakoordua t’a pranonte Draftin e Asociaiconit.

Po si po shihet kjo qasje e AAK-së dhe Haradinajt??

Në lidhje me këtë çështje ka folur për “Gazeta Blic”, njohësi i rrethanave politike në vend, Imer Mushkolaj.

Mushkolaj tha për “Gazeta Blic” se nuk është hera e parë që AAK-ja dhe Haradinaj bëjnë lëvizje të tilla për afrimin me subjekte të caktuara politike për të ardhur në pushtet.

Ai tutje shtoi se kalkulimet e Haradinajt, për pushtet, janë vazhdimisht të pranishme.

“Nuk është hera e parë që AAK-ja dhe Haradinaj bëjnë kapërcime të tilla në kuptimin e afrimit me subjekte politike. Duhet ta kemi parasysh që AAK-ja është një subjekt i vogël politik edhe Haradinaj vazhdimisht është në kërkim të një “shtrati” se ku mundet me u vendos ose çfarë situate të re mund me kriju që me ardhë në pushtet. Kështu që me këtë logjikë mua nuk më befason kjo qasja e Haradinajt pavarësisht se unë mendoj se në këtë rast është mirë që i ka votu marrëveshjet ndërkombëtare për shkak se bëhet fjalë për marrëveshje të cilat nuk kanë interes partiak po janë mbi partitë dhe do të duhej të votoheshin. Megjithatë Haradinaj e ka këtë qasje vazhdimisht, kalkulimet e tij për pushtet vazhdimisht janë të pranishme”

Analisti Mushkolaj deklaroi se në zgjedhjet e ardhshme mund të kemi një bashkëpunim të Haradinajt me Kurtin.

“Mbase në zgjedhjet e tjera, Haradinaj, mundet me bashkëpunu me Kurtin. Mos të harrojmë se pikërisht Haradinaj ka qenë ai që sa kanë qenë në opozitë bashkë me Kurtin kanë bashkëpunu jashtëzakonisht mirë në kundështimet që ata i kanë bërë për Asociaiconin, Demarkacionin etj” deklaroi Mushkolaj në një prononcim dhënë për “Gazea Blic”.

Imer Mushkolaj, Njohës i zhvillimeve politike

/Gazeta Blic/