Fundjava është e rezervuar për spektakël në Premier League, atje ku do të zhvillohet një super ndeshje.
Manchester City dhe Liverpool do të përballen të shtunën në ‘Etihad Stadium’, me ndeshjen që luhet me fillim nga ora 13:30.
Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola është në vendin e parë me 28 pikë, kurse ‘The Reds’ renditen në vendin e dytë me një pikë më pak.
Në një intervistë ekskluzive për ‘GazetaBlic Sport’, ish futbollisti i skuadrës së Manchester Cityt, Paul Bosvelt tha se beson që ish skuadra e tij do ta fitojë ndeshjen ndaj Liverpool.
Bosvelt ka qenë pjesë e ‘Qytetarëve’ nga viti 2003 deri në vitin 2005, duke zhvilluar 53 paraqitje dhe duke realizuar 2 gola.
“Mendoj se Ciyt do të përfitojë nga ambienti i tyre në shtëpi dhe do ta fitojë ndeshjen ndaj Liverpool“, tha fillimisht Bosvelt.

Tutje, ai u pyet për mundësinë që Manchester City ta fitojë titullin përsëri në Premier League, gjë për të cilën ishte maksimalisht optimist.
“Po, në fund të edicionit Manchester City do ta fitojë titullin, madje janë edhe më të fortë këtë sezon“, vazhdoi tutje Bosvelt.

Krejt në fund, ai u pyet se kush është futbollisti më i rëndësishëm momentalisht tek Manchester City, por ai zgjodhi trajnerin Pep Guardiola para gjithë të tjerëve.
“Mendoj se Pep Guardiola është njeriu më i rëndësishëm tek Manchester City. Ai arrin ta mbajë skuadrën për një kohë të gjatë në një nivel vërtet të lartë“, përfundoi Bosvelt.

/GazetaBlic Sport/


