Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, në një prononcim për Gazeta Blic, tha se vendimi i Qeverisë që qytetarët serbë që janë banorë të Kosovës, nuk duhet të lejohen të udhëtojnë në BE me pasaporta serbe, është një vendim i arsyeshëm dhe i logjikshëm.
Lekaj thotë se ky vendim duhet të jetë menduar mirë dhe të jetë në pajtim me përfaqësuesit ndërkombëtarë.
“Parimisht, vendimi i Qeverisë që qytetarët serbë që janë banorë të Kosovës nuk duhet të lejohen të udhëtojnë për në BE me pasaporta serbe është i arsyeshëm dhe i logjikshëm. Por praktikisht ky vendim duhet të jetë i menduar mirë dhe duhet të jetë në bashkërendim dhe pajtim me përfaqësuesit ndërkombëtar”, tha Lekaj për Gazeta Blic.
Deputeti Lekaj thotë se ky vendim mund të sjell pasoja më të mëdha në raportet mes dy vendeve, ku edhe mund të komplikojë procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
“Përkundër Qeverisë, ne si AAK e vlerësojmë këtë çështje më të ndërlikuar e cila mund të sjellë pasoja të mëdha në raportet mes dy vendeve. Madje mendojmë që kjo mund edhe të komplikojë procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, shtoi ai.
Ai thotë se qytetarët serbë të cilët jetojnë në Kosovë, duhet të pajisen me pasaporta kosovare, ku thotë se duhet tu jepet një afat kohor për kthimin e pasaportave nga serbe në ato kosovare.
“Unë mendojë që qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë duhet të pajisen me pasaporta kosovare, por që në temën se a duhet ata të udhëtojnë në BE me pasaporta serbe, si zgjidhje të fundit duhet të jepet afat kohor për kthimin e pasaportave nga serbe në kosovare”, u shpreh ai.
Tutje ai thotë se Qeveria nuk duhet të ngutet me vendime të shpejta, të cilat pastaj mund të sjellin pasoja për vendin siç ishte rasti me bllokimin e kufirit të Jarinës, zgjedhjeve në komunat veriore dhe çështjen e targave.
“Qeveria, nuk duhet të ngutet me vendime të shpejta, të cilat mund të sjellin pasoja siç ishte rasti me bllokimin e kufirit të Jarinës, zgjedhjeve në komunat veriore dhe çështja e targave”, tha Lekaj për Gazeta Blic.


