Lajme

Nexhat Krasniqi përjashtohet nga shërbimi civil

11/22/2023 11:49
nga:Y I

I sanksionuari nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Nexhat Krasniqi, është përjashtuar nga shërbimi civil.

Vendimi është marrë sot nga Komisioni Disiplinor brenda Ministrisë së Mjedisiti, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministri Liburn Aliu, në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.

“Me datën 3 nëntor jemi njoftuar nga State Departmenti që për z.Krasniqi ka masë nga Shtetet e Bashkaura të Amerikës dhe në po të njëjtën ditë është marrë vendimi i pezullimit nga pozita. Që nga ajo ditë e deri më sot kemi arrit në pozitën kur z.Nexhat Krasniqi, me vendimin e Komisionit Disiplinor, është heq nga Shërbimi Civil. Në ndërkohë më 15-11 është vendosur në pozitën U.D të përkohshme për të cilën pastaj do të hapet konkursi për 2 pozitat dhe me datën 20-11 është vendos, është bërë kërkesë nga Komisioni Disiplinor për ta marrë vendimin që është marrë sot me datë 22”, ka thënë Aliu.

Ndryshe, Departamenti Amerikan i Shtetit më 3 nëntor 2023, ka vendosur në listën e sanksioneve Nexhat Krasniqin, ish-zyrtar i prokurimit në Ministri të Tregtisë, për shkak të përfshirjes në korrupsion të madh. Atij do t’i ndalohet hyrja në SHBA.

“Si zyrtar publik përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, Krasniqi ka abuzuar me postin e tij publik duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit nga kompania Eltoni”, u tha në njoftim.