Lajme

“Asociacioni, njohja – kyçe për normalizim”/Analistët tregojnë çështjet kontroverse në draftin e BE-së

11/21/2023 21:09
nga:G B

Themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe do të ishte një hap kyç drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe paqes afatgjate dhe të qëndrueshme në rajon.

Kështu ka deklaruar dje në Prishtinë, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ka shtuar se i mirëpret propozimet e fundit për themelimin e Asociacionit.

Në anën tjetër, presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar sot se në draft statutin e Asociacionit janë dy-tri çështje që krijojnë dykuptimësi dhe duhet të sqarohen.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Halil Matoshi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se zbatimi i Marrëveshjes Ndërkombëtare nga Kosova është kthyer në një çështje të sigurisë globale dhe se Asociacioni kontribuon në paqe në vend dhe ia mbyll gojën Beogradit.

“Është indikative që shefi i NATO-s merret me projekte politike çka do të thotë se zbatimi i Marrëveshjes Ndërkombëtare nga Kosova (2013 dhe 2015) është kthyer në një çështje të sigurisë globale. Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Republikën e Kosovës, po, që i kontribuon paqes brenda Kosovës dhe po që ia mbyll gojën Beogradit zyrtar. Fundja, vetëm shtetet e dështuara u shmangen detyrimeve ndërkombëtare”, shprehet ai.

Sipas Matoshit, janë dy-tre çështje kontroverse tek drafti i BE-së, të cilat thotë se këto vërejtje i ka bërë edhe Kurti.

“Ka vërtet dy-tre çështje kontroverse tek drafti i BE-së, si p.sh: së pari nga emërtimi kushtetues është hequr Kosova; në preambulë zënë vend Rezoluta 1244 që ruan të drejtën e Serbisë mbi Kosovën përballë Kushtetutës së Kosovës, shtet i pavarur, territori (kufijtë administrativ) i entitetit juridik-politik AKShSK, si dhe Komisioni i arbitrazhit që mundëson cenim të sovranitetit të Kosovës në çështjet e brendshme. Besoj që këto vërejtje i ka bërë edhe vet Kryeministri Kurti dhe mund të merren parasysh nga ndërmjetësit e BE-së”, deklaron Halil Matoshi për Gazeta Blic.

Ndërsa, analisti politik, Gazmir Raci, thotë se hapi drejt normalizimit të plotë të raporteve Kosovë-Serbi është njohja formale e Kosovës nga ana e Serbisë.

“Hapi kryesor drejt normalizimit të plotë të raporteve Kosovë-Serbi është njohja formale e Kosovës nga ana e Serbisë. Kjo po ashtu e bën Ballkanin gati për anëtarësim në bllok së bashku në Bashkim Evropian. NATO duhet të kujdeset për sigurinë kolektive të vendeve të Ballkanit Perëndimor që janë deklaruar për anëtarësim në NATO”, thotë ai.

Raci thekson se Serbia vazhdon të jetë aleate e Rusisë.

“Serbia nuk dëshiron anëtarësim dhe këtë e tha edhe sot Vuçiq kur deklaroi se Serbia vazhdon të jetë neutrale ushtarakisht, d.m.th Serbia nuk dëshiron të ndërrojë kursin e sigurisë së saj në raport me luftën në Ukrainë dhe invazionit rus. Serbia vazhdon të jetë aleati kryesor i Federatës Ruse në Ballkan dhe vetëm aleanca veriatlantike e ka fuqi ta ndalojë depërtimin e ndikimit rus dhe mundësisë për bartje edhe të një pjese të konfliktit në Ballkan sipas paralajmërimeve edhe të presidentit ukrainas”, vlerëson analisti për Gazeta Blic.

Sipas tij, Kosova duhet urgjentisht të ftohet në NATO, pasi është e padrejtë që të mos jetë në partneritet për paqe.

“NATO duhet urgjentisht ta fus Kosovën në partneritet për paqe. Është e padrejtë që Serbia dhe Bjellorusia të jenë në partneritet për paqe e jo Republika e Kosovës, e cila në themelet e saj e ka aleancën veriatlantike kurse ato dy të tjerat janë satelitët e Rusisë”, deklaron Gazmir Raci./Gazeta Blic/

Draft statuti i Asociacionit/ Deputeti i VV-së: Nuk pranojmë asgjë që cenon integritetin territorial–nevojë urgjente sigurimi i kufirit, po rrezikohet nga Serbia e Rusia

Kurti tregon armët kineze që po i përdor ushtria serbe dhe shfaqjen e agresionit ndaj Kosovës