Lajme

Draft statuti i Asociacionit/ Deputeti i VV-së: Nuk pranojmë asgjë që cenon integritetin territorial–nevojë urgjente sigurimi i kufirit, po rrezikohet nga Serbia e Rusia

11/21/2023 18:26
nga:G B

Shefi i NATO’s, Jens Stoltenberg ka thënë se i mirëpret propozimet e fundit për themelimin e Asociacionit dhe se ky do të ishte një hap kyç drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe paqes afatgjate dhe të qëndrueshme në rajon.

Këto deklarata ai i bëri dje gjatë vizitës në Prishtinë.

Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar sot se në draft statutin e Asociacionit janë dy-tri çështje që krijojnë dykuptimësi dhe duhet të sqarohen.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se s’mund të komentojnë draft statute pa u bërë publike nga propozuesi, por që thekson se s’do të pranojnë asgjë që cenon integritetin territorial.

“Në asnjë rrethanë nuk mund të diskutojmë apo komentojmë për çështje (draft propozimin) të cilat propozuesi nuk i ka bërë publike. Por, ajo që është e qartë është që nuk do të pranojmë asgjë që cenon integritetin territorial, organizimin juridiku-kushtetues të Republikës, sovranitetin dhe mbi gjitha ndonjë propozim që cenon sigurinë e Kosovës sepse cenon pikërisht qëllimin përfundimtare e që është paqja”, thotë ai.

Sipas Batushës, s’nevojitet Asociacion për siguri dhe paqe në Kosovë por nevojë urgjente për sigurim të kufirit që rrezikohet nga ëndrrat shoviniste serbe dhe ruse.

“Kosova nuk ka nevojë për Asociacion si garancë e sigurisë dhe paqes, por ka nevojë urgjente për sigurimin e kufirit sepse po rrezikohemi nga ëndrrat shoviniste serbe dhe ruse. Është i nevojshëm pozicionimi dhe mesazhet e qarta nga faktorët ndërkombëtarë ndaj Serbisë, si nxitëse e agresioneve në Ballkan dhe si pretenduesja e territoreve të shteteve fqinje”, deklaron deputeti i VV-së, Agon Batusha./Gazeta Blic/

Osmani për draft-statutin e Asociacionit: Ka çështje që duhet të sqarohen sepse krijojnë dykuptimësi

Stoltenberg: I mirëpres propozimet e fundit për themelimin e asociacionit