Lajme

Gjoshi, PDK: Rastësi jo e vogël djegia e objektit të IML-së, pas intervistimit të Albulena Haxhiut

11/21/2023 10:23
nga:N K

“Rastësi jo e vogël kjo ngjarje, një ditë pas intervistimit nga prokuroria të ministres Albulena Haxhiu. Nën vëzhgimin e saj, me 8 dhjetor të vitit të kaluar, ishin zhdukur edhe mostrat e Astrit Deharit”, ka thënë Gjoshi i PDK-së

Sekretari për organizim në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Betim Gjoshi, e ka cilësuar si fatkeqësi djegien e ndërtesës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Ai ka kërkuar që sa më parë, duhet të ketë informata se çka e shkaktoi zjarrin dhe çfarë u dogj?

“Cilat janë dëmet dhe a janë shkatërruar provat e ndonjë rasti? Rastësi jo e vogël kjo ngjarje, një ditë pas intervistimit nga prokuroria të ministres Albulena Haxhiu. Nën vëzhgimin e saj, me 8 dhjetor të vitit të kaluar, ishin zhdukur edhe mostrat e Astrit Deharit”, tha Gjoshi përmes një reagimi në faqen e tij në Facebook.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka thënë se dy zyra janë përfshirë nga zjarri dhe se nuk raportohet për të lënduar.

Sipas saj zjarrfikësit e kanë lokalizuar zjarrin.

“Sot rreth orës 08:00, është raportuar se në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë , dy zyra janë përfshirë nga zjarri. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin. Nuk raportohet për persona të lënduar. Aktualisht policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, tha ajo.