Mobilizimi për Kuvendin e 10-të të Lidhjes Demokratike preku edhe Policinë e Kosovës.
E brenda, nga të gjitha hyrjet e Pallatit të Rinisë në Sallën e Sporteve po shkonin delegatët e partisë të cilët do ta zgjedhin kryetarin e ri. Për këtë ngjarje dikush erdhi me simbole kombëtare nga diaspora.
Për ta nderuar partinë më të vjetër në Kosovë, erdhi nga Lugina edhe deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Pretendenti i vetëm zyrtar është lideri aktual Lumir Abdixhiku. Ky me bashkëshorten dhe kastën e partisë para futjes në kuvend, vizitojnë ëmbëltoren ikonike për ta, si vazhdim i traditës së paraardhësve të partisë.
Pas kafeve, vazhdojnë drejt sallës e cila ishte ndriçuar e tëra në të kaltër si ngjyrë simbolizuese për këtë subjekt. Në këtë objekt u pati mbajtur edhe kuvendi më 2006 që eskaloi me hedhje të karrigeve. Diçka e tillë 17 vjet më pas për nënkryetarin Gazmend Muhaxhiri s’mund të ndodh.
Secilin delegat e prisnin tre kartona për votim. I gjelbri për ‘pro’ i verdhi për ‘abstenim’ e i kuqi për ‘kundër’. Por veç të parit, i dyti e i treti thuajse nuk u përdorën.
Fjalimi paksa i gjatë i kryetarit të rizgjedhur duket se ua shtoi apetitin këtyre pjesëmarrësve.
Dy të tjerë, këtë kohë e shfrytëzonin për një selfie.
Kur ripërtrirja e strukturave mbaroi, i rivotuari për shef të partisë ndërroi sallën për një koktej, ku festoi me verë e bëri fotografi me përkrahësit.


