Sporti

Batatina: Nuk ka më asnjë arsye që së paku 50% e lojtarëve në kombëtare të jenë nga Superliga e Kosovës

11/19/2023 13:50
nga:L J

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina është shprehur shumë i lumtur me paraqitjen e lojtarëve nga Superliga të cilët janë grumbulluar në kombëtaren e Kosovës.

Dy nga lojtarët e Llapit që u ftuan në kombëtare, Ilir Krasniqi dhe Muhamet Hyseni kishin minutat e tyre dhe treguan potencialin e madh që kanë, andaj Batatina shprehet tejet i lumtur për një gjë të tillë.

Sulmuesi Muhamet Hyseni realizoi golin e barazimit dje. Batatina thotë se u dëshmua edhe njëherë puna profesionale në klube dhe cilësia e madhe e lojtarëve.

“Po jam i lumtur së pari për paraqitjen dinjetoze të gjithë lojtarëve të Superligës dhe golin e shënuar nga Hyseni me një kompeticion të kualifikimeve evropiane dhe sidomos ndaj Zvicrës dhe një super portieri (Sommer), por edhe një herë u deshmu puna jonë profesionale me skuadra – ku edhe këta djemë, pa luajtur në klube të mëdha evropiane, po bëjnë paraqitje të mira në Kombëtare”, tha fillimisht Tahir Batatina për ‘GazetaBlic Sport’.

Batatina thotë se gjithmonë ka qenë i zhurmshëm që të ftohen lojtarët nga Superliga, teksa tani po del që e kanë pasur gjithmonë me të drejtë.

“Ju e dini sa kam qenë i zhurmshëm për lojtar të Superligë që te grumbullohen – por ja që erdhi një moment dhe u vërtetu se e kanë meritu edhe më herët”, vazhdoi Batatina.

Në fund, trajneri i Llapit tha se tashmë në grumbullimet e ardhshme duhet të jenë mbi 50% lojtarë nga Superliga, në rast se duam kualifikim në kompeticionet e mëdha.

“Nuk ka më asnjë arsye që së paku 50% të jenë lojtarë nga Superliga e Kosovës, nëse duam kualifikim dhe kjo nuk ka asnjë dyshim”, përfundoi Batatina.

/GazetaBlic Sport/