Sporti

Zhdrella: Lojtarët e Superligës me paraqitje të mirë, luajtën me shpirt luftarak, Hyseni debutoi me gol ndaj një kombëtare të madhe si Zvicra

11/19/2023 13:02
nga:L J

Kombëtarja e Kosovës barazoi dje ndaj Zvicrës në Basel me rezultatin 1-1, në ndeshjen e parafundit të grupit, ku edhe zyrtarisht humbëm gjasat për kualifikimin në Euro2024.

Në këtë grumbullim kishte pesë lojtarë nga Superliga, ku katër u aktivizuan. Ilir Krasniqi, Lumbardh Dellova, Qendrim Zyba dhe Muhamet Hyseni ishin lojtarët që u aktivizuan nga Gliha në ndeshjen ndaj Zvicrës.

Hyseni i Llapit shkëlqeu me gol, duke barazuar rezultatin, ku edhe ia siguroi një pikë kombëtares ‘Dardane’.

Drejtori sportiv i Llapit, Mentor Zhdrella potencon se Krasniqi e Hyseni, dy lojtarët e ekipit nga Podujeva si dhe lojtarët e Superligës kanë luajtur shumë mirë, me shpirt luftarak. Ai potencoi se lojtarët duhet të jenë me këmbë në tokë dhe të vazhdojnë kështu.

“Janë lojtarë me të ardhme të ndritur. Paraqitja e gjithë lojtarëve ka qenë e mirë, me shpirt luftarak. Sigurisht që duhet të jenë me këmbë në tokë, që të vazhdojnë me këto paraqitje fantastike”, tha fillimisht Zhdrella për ‘GazetaBlic Sport’.

Zhdrella u shpreh i lumtur me golin e Hysenit dhe tha se kjo tregon se në Kosovë ka lojtarë të mëdhenj.

“Muhamet Hyseni debutoi me gol kundër një kombëtare siç është Zvicra, kjo tregon që në Kosovë ka shumë lojtar me potencial të madh. Jam i lumtur për të”, përfundoi Zhdrella.

Kujtojmë se Muhamet Hyseni është top golashënues në Superligën e Kosovës me 9 gola.

/GazetaBlic Sport