Lajme

Dialogu me Serbinë, Krasniqi: Qeveria të bashkëpunojë me opozitën, nuk duhet funksionuar fshehurazi

11/15/2023 19:19
nga:Genita C

Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi thotë se nuk mund të kemi pritshmëri për takimin e nesërm mes kryenegociatorëve, kur sipas saj Qeveria e Kosovës nuk ka kurrfarë transparence sa i përket çështjes së dialogut me Serbinë.

Krasniqi i tha GazetësBlic se një qasje e tillë është e gabuar dhe sipas saj ka pasoja të mëdha.

“Fatkeqësisht dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po vazhdon të përballet me mungesë të transparencës, gjë për të cilën ka te miratuar edhe një rezolutë në Kuvendin e Republikës së Kosovës e cila obligon qeverinë, që para dhe pas çdo takimi në kuadër të dialogut të njoftojë Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe kjo nuk ka ndodhur asnjëherë, pra kemi të bëjmë me shkelje të rezolutës nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila përderisa ishte në opozitë, kritikonte vazhdimisht qeveritë tjera për mungesë të transparencës, kurse sot vetë e bënë atë”, tha Krasniqi.

“Marrë për bazë këto rrethana, nuk mund të ndërtojmë as pritje mbi atë se çka do të ndodh në takimin e nesërm në Bruksel, ndërmjet kryenegociatorëve. Një qasje e tillë ndaj dialogut është e gabuar dhe me pasoja të mëdha”, tha Krasniqi.

Sipas Krasniqit, Qeveria e Kosovës duhet të bashkëpunoj me deputetët opozitar sepse është një
një çështje me rëndësi jetike për vendin dhe nuk duhet funksionuar fshehurazi.

“Në fakt, meqë kemi një situatë të tillë, pra me mungesë të transparencës, në radhë të parë për këtë do duhej të ndryshonte qasja e qeverisë, duke respektuar edhe rezolutë e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe duke bashkëpunuar me deputetë, sepse është një çështje me rëndësi jetike për vendin dhe nuk duhet funksionuar fshehurazi”, tha Krasniqi për GazetaBlic.

Bislimi niset drejt Brukselit, nesër takohet me Petkoviçin