Lajme

“Kurti dha shenja se po bëhet kryeministër”, Abilekaj: Deklarimi i Ramës abuziv, qëndrimet e tij në favor të ‘përkëdheljes’ së Serbisë!

11/15/2023 18:23
nga:Y I

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar gjatë ditës së sotme se “Albin Kurti duke pranuar Draftin e Asociacionit ka dhënë shenjë se po bëhet kryeministër”.

“Kryeministër bëhesh kur bëhesh dhe jo kur zgjidhesh. Ajo që ka bërë Albini duke pranuar atë draft është shenjë që Albini po bëhet kryeministër” deklaroi Edi Rama raporton Gazeta Blic.

Në lidhje me këtë deklaratë të kryeministrit, Edi Rama, ka folur për “Gazeta Blic”, njohësi i çështjeve politike nga Shqipëria, Enton Abilekaj.

Abilekaj tha se Rama ka disa kohë që po sillet si lider global dhe qëndrimet e tij në raportet Kosovë-Serbi, nuk janë të paanshme.

Ai tha se qëndrimi i Ramës është në favor të ‘përkëdheljes’ së Serbisë dhe në dëm të Kosovës.

“Kryeministri i Shqipërisë, prej kohësh po sillet si një lider global, pavarësisht përmasave që i takojnë prej përfaqësimit. Edhe në qëndrimin ndaj Kosovës, ai mban statusin e liderit global, të prodhuar prej një deliri që shpjegohet, jo me atë që përfaqëson, por me atë që buron prej pushtetit absolut. Konkretisht, Edi Rama, që kur u konfliktua me Ramush Haradinajn, gjatë samitit të Procesit te Berlinit më Gjermani, ka treguar se qëndrimi i tij në marrëdhënien Kosovë- Serbi është ai i një force të tretë. Jo i paanshëm. Paanshmëria, nuk do ta pengonte të kuptonte se Serbia nuk kërkon marrëveshje as normalizim marrëdhëniesh, por vetëm çelësin e destabilizimit të përjetshëm të Kosovës”

“Qëndrimi i Ramës është i anshëm, në favor të perkëdheljes së Serbisë, në dëm te Kosovës. Është në linjë me ate pjesë të Perëndimit që eksperimenton me Ballkanin. Por, nëse perëndimorëve u lejohet ky iluzion se nuk e njohin terrenin, nëse u lejohet se nuk e pësojnë nga kostot kur shpresojnë të marrin përfitimet, një politikani shqiptar, kombi i të cilit e ka vuajtur shovinizmin, nuk mund të bëhet pjesë e këtij eksperimenti që tashmë po dështon. Nuk mund të behej pjesë e eksperimentit të shkëmbimit të territoreve që dështoi. Nuk mund të vëre si kolateral interesat e kombit për të fituar kredite ndërkombëtare” deklaroi Abilekaj për “Gazeta Blic”

Sa i përket, pranimit të Asociacionit, Abilekaj tha se nuk është fitore e Ramës por e angazhimit të Qeverisë së Kosovës për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve.

“Pranimi i Asociacionit në modelin e paraqitur, nuk është fitore e Ramës, as e eksperimentit proserb, është vetëm shenjë e angazhimit të qeverisë së Kosovës për të normalizuar marrëdhëniet, duke u dhënë akoma më shumë garanci perdimorëve dhe serbëve për të drejtat e minoriteteve. Drafti në vetvete duket po aq i mirë sa edhe momenti që Kurti zgjodhi për ta pranuar. Menjëherë pas sulmit te 24 shtatorit, pikërisht atëherë kur të gjithë u bindën se Vuçiç i kërkon të drejtat e zgjeruara të Serbëve të Kosovës dhe varësinë ekonomike të tyre nga Serbia, jo se interesohet për ta, por për t’ i përdorur si mish për top në destabilizimin e Kosovës.Projekti i pranuar është në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe një mospërputhje me projektin e Vuçiçit. Kjo mund të arrihej vetëm në këtë moment”.

Abilekaj e cilësoi deklarimin e Ramës si abuziv pasi sipas tij një kryeministër bëhet “burrë shteti” kur merr vendime të vështira dhe jo populiste.

Ai tutje potencoi se, Edi Rama duke provokuar Kurtin, vetëm sa po e vështirëson pozitën e tij përpara shqiptarëve.

“Kështu që deklarimi i Ramës, është abuziv. E vërteta universale është keqpërdorur për të shpjeguar rastin konkret. E vërteta universale është se Kryeministri bëhet ‘Burrë Shteti’ kur merr vendime të vështira, jo populiste, vendime që përcaktojnë suksesin afatgjatë të vendit. I tillë është edhe ai për asociacionin. Kurti nuk kishte pse të dilte në Parlament dhe ta mohonte, nuk kishte pse të luante me fjalët, me mungesën e firmës. Kurti nuk ka pse të bjerë në kurthin e populizmit. Asociacioni duhet pranuar si një kompromis me aleatët, pa bërë kompromis më të ardhmen e Kosovës. Ky projekt i garanton këto dy kushte”

“As opozita e Kosovës nuk ka arsye të luajë më populizimin, duke akuzuar Kurtin pse e pranoi kur e pranon dhe pse nuk e pranoi kur nuk e pranon. Investimi tek populizmi mund të japë më shumë vota, por asnjëherë rezultate më të mira për vendin. Përtej kësaj që ndodh në politikën e Kosovës, abuzimi i Ramës, vetëm sa e pengon qeverinë e Kosovës të sillet natyrshëm në bisedime, duke patur parasysh objektivat e veta dhe duke patur garancinë e uniteti kombëtar, përfshirë shqiptarët e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Duke provokuar Kurtin, Rama vetëm e vështirëson pozitën e tij përpara shqiptarëve, duke ia lidhur duart per vendime të mëdha. Rama mund ta përshëndeste pranimin e asociacionit, duke vënë në dukje të vërtetën, që ky ishte momenti i duhur dhe projekti i duhur për tu pranuar. Vetëm kështu do ta ndihmonte për hetë të parë Kosovën, në një negociatë të vështirë” deklaroi Abilekaj në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic”

/Gazeta Blic/

Rama: Duke pranuar draftin e Asociacionit, Kurti ka dhënë shenjë se po bëhet kryeministër