Sporti

Sophie Sorschag: Jam krenare që jam kosovare, shpresoj që Kosovës t’i sjell medalje olimpike

11/06/2023 19:50
nga:E K

Atletja, Sophie Sorschag edhe zyrtarisht ka marrë konfirmimin që lejon atë ta përfaqësoj Kosovën në garat ndërkombëtare.

Pak ditë më parë, garuesja kosovare, Sophie Sorschag mori konfirminin nga FIS duke bërë që austriakja tashmë të mbrojë ngjyrat e Kosovës në garat ndërkombëtare.

GazetaBlic Sport ka kontaktuar me atleten e cila në një intervistë ekskluzive u shpreh e lumtur që do mund të garojë për shtetin e Kosovës në garat e ardhshme ndërkombëtare.

“Për mua më e rëndësishmja ishte që të përfaqësoj një komb, i cili e vlerëson punën time dhe më jep mundësinë të vazhdoj me pasionin tim, kërcim me ski. Jam
me të vërtetë falënderuese për pritjen e ngrohtë që pata nga Kosova në përgjithësi, veçanërisht nga Federata e Skive të Kosovës dhe Komiteti Olimpik”, tha fillimisht Sophie në intervistën ekskluzive për “GazetaBlic Sport“.

Sorschag thotë se ishte ndenjë e jashtëzakonshme për të kur mori konfirmimin nga FIS duke potencuar se ndihet krenare që tashmë është një kosovare dhe që do jetë në gjendje që të mbrojë ngjyrat e shtetit në garat botërore.

“Ishte shumë e vështirë derisa morëm konfirmimin nga FIS, por tani jam jashtëzakonisht e lumtur sepse mezi pres ta përfaqësoj Kosovën. Një vend që beson në
mua, më mbështet plotësisht dhe më jep mundësinë të ndjek ëndrrat e mia. Unë jam shumë krenare që jam një kosovare dhe që jam në gjendje të përfaqësojë Kosovën në kërcim me ski në të gjithë botën”, vazhdoi ajo.

Në fund ajo thotë se ka për synim që Kosovës t’i sjell sa më shumë medalje duke deklaruar se synimi i saj është medalja olimpike.

“Çdo ditë po punojë shumë me trajnerin tim, Jure Radelj dhe kam mbështetjen e plotë të Kosovës që të arrij synimet e mia dhe të kthehem në formën time më të mirë. Fillimisht duhet të kthehem sa më parë në nivelin kompetitiv, pastaj sigurisht që kam synim atë që ka çdo atlet dhe atë që presin kosovarët nga unë, që të fitojë medalje olimpike. Do të bëjë gjithçka që të konkurojë në nivelin më të lartë në këtë sport”, përfundoi Sophie Sorschag për “GazetaBlic Sport.