Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri në një prononcim për GazetaBlic ka kritikuar kryeministrin Kurti për mos-transparencë sa i përket çështjes së dialogut.
Haziri thotë se kryeministri Kurti edhe në këtë situata që Kosova është aktualisht, ky i fundit po vepron me logjikën e njejtë.
“Kjo Qeveri nuk e ka bërë publike asnjë takim dhe asnjë lëvizje të saj në dialog. Më shumë kemi marrë njoftime nga ndërkombëtaret dhe emisarët special sesa nga kjo Qeveri. Kryeministri është duke vazhduar me logjiken e njejtë, i mbyllur dhe jotransparentë me opozitën e shoqërinë civile, poashtu edhe me të gjithë akterët e tjerë në procesë të dialogut”, tha Haziri.
Haziri foli edhe për draft-statutin e Asociacionit i cili edhe pse është pranuar nga Qeveria, nuk është bërë ende publik.
Sipas Hazirit, pa e parë një dokument të tillë nuk duhet të ngutemi me deklarata.
“Ne nuk e kemi parë dokumentin, për këtë arsye nuk mund të themi asgjë. Realisht ne jemi duke e pritur atë draft ta shohim, diskutojmë e ta analizojmë. Nëse i shohim modelet që janë përdorur në këtë rast, atëherë nuk duhet të ngutemi”, tha Haziri.
“Unë shpresojë që nga nesër në Kuvend para deputetëve, duhet të gjendet një mënyrë që këtë formë me e rregullu, të komunikimit me qytetarët e Kosovës sepse ky vendim është shumë i rëndë, është me peshë të jashtëzakonshme”, shtoi ai.
“Ajo që ne si LDK në proces kemi garantuar që 10 vite është që ne kemi vendosur siguresa kushtetuese në mënyrë që mos të lejohet degjenerimi i këtij procesi. Derisa nuk e shohim dokumentin duhet me u rezervu në komente”, tha Haziri për GazetaBlic.


