Lajme

Minatorët në grevë, ende s’kanë marrë pagën e shtatorit

10/24/2023 20:31
nga:N K

Pakënaqësitë e grumbulluara për muaj me radhë, kulmuan të martën.

Si rezultat, minatorët e gjigantit metalurgjik ‘Trepça’ në Stantërg u ngujuan në horizontin e 10-të pasi thonë se menaxhmenti nuk iu la tjetër zgjidhje.

Këta hynë në grevë pasi nuk morën ende pagën e shtatorit, e për ta ndërprerë atë kanë disa kërkesa.

Rreth 200 minatorë paralajmërojnë se grevën do ta radikalizojnë edhe në urie, e nuk do të dalin nga zgafella pa iu realizuar kërkesat.

Menaxhmentit sikur edhe Qeverisë, tash po i bëjnë apel që të ndërhyjë pa u keqësuar gjendja.

As menaxhmenti e as Ministria e Ekonomisë nuk qenë të qasshëm të martën. Por në mbledhjen elektronike të hënën vonë Qeveria ndau 1.6 milionë euro për “Trepçën” pa specifikuar dedikimin e tyre.