Një ‘plan i ri’ u tha se u dorëzua nga përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili qëndroi të shtunën në Kosovë, bashkë me Gabriel Escobar dhe këshilltarët e Scholz, Macron dhe Melonit.
Për këtë plan nuk janë dhënë ende detaje, derisa ka qenë nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, që ka thënë se Kurti e ka pranuar implementimin e Asociacionit që në fillim të muajit nëntor.
Lidhur me gjithë këto, për Gazeta Blic ka folur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli.
Ai thotë se kryeministri shumë shpejt do të dalë me qëndrim për planin e ri të propozuar nga Lajçak, ndërsa që për Asociacionin s’ka problem nëse respektohet Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, por nëse ka kompetenca ekzekutive, Kurti ka qenë i prerë.
“Besoj që kryeministri shumë shpejt do të dalë me qëndrimin e Qeverisë për planin e ri të propozuar nga Lajçak. Ndërsa, çështja e Asociacionit, derisa respektohet Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, nuk paraqet problem, por nëse mendohet me Asociacion me kompetenca ekzekutive, mendoj se është temë për të cilën kryeministri Kurti ka qenë i prerë dhe i qartë”, thotë ai.
Ndërsa, sa i përket zgjedhjeve në veri, ai thotë se është detyrë e KQZ-së.
“Mbajtja e zgjedhjeve të reja, mendoj që KQZ-ja e ka një detyrë me rëndësi, sepse duhet të merret ose jo me licencimin e Listës Serbe, e cila njërin prej krerëve të saj, Milan Radoiçiç, e ka të akuzuar për vepra terroriste, madje grupi i të akuzuarit, e ka vrarë një polic të Kosovës e cila tash ka krijuar një situatë të re dhe nuk mund te trajtohen këto çështje njëjte si më parë”, shprehet Agusholli për Gazeta Blic.
Deputeti shton se BE në planin e ri beson se e ka parasysh se Serbia është shtetit që financon aktet terroriste.
“Besoj që BE-ja në planin e ri e ka parasysh kush është shteti që i mbështet dhe financon aktet terroriste, dhe se do ta vlerësojë orientimin dhe konstruktivitetin e palës kosovare”, deklaron Agusholli./Gazeta Blic/


