Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha në një prononcim për GazetaBlic thotë se sulmi i 24 shtatorit ishte i koordinuar nga katërshja e bisedimeve në Bruksel.
Berisha theksoi se menjëherë pas sulmit në Banjskë, kryeministri Kurti kërkoi që Lista Serbe të shpallet organizatë terroriste, por sipas tij, tashmë ai ka ndryshuar qëndrim dhe i kurseu.
“Para disa ditësh në Kohavizion TV, kam deklaruar se komplet sulmi në Banjska, ishte i koordinuar nga katërshja e bisedimeve në Bruksel.Menjëherë pas sulmit, kryeministri i Kosovës Kurti, kërkoi që “Lista Serbska” të shpallet organizatë terroriste, pasi që me “shqyrtimin” e fakteve i kishte shpallur si të tilla “Brigadën e veriut” dhe “Mbrojtjen civile”, dhe pas agresionit të 24 Shtatorit, kërkoi edhe nga shtete tona mike, aleate, ta bëjnë të njëjtën gjë”, tha Berisha.
“Por, përkundër qëndrimit publik të Kryeministrit Kurti, për shpalljen terroriste të “Listës Serbska”, kësaj radhe ndërroi qëndrim dhe e kurseu “Listën Serbska”, me të cilën e kishte negociuar kalimin e ligjeve të rëndësishme në Kuvend, si shumicë parlamentare”, shtoi tutje Berisha.
Berisha shton se, Lista Serbe do t’ia kthejë nderin Albin Kurtit dhe me vendimin e fundit që u shprehën se janë të gatshëm për zgjedhjet në veri, sipas tij do të mundohen të prezantohen tek Bashkimi Evropian si faktor të depërshkallëzimit.
“Me ketë, Lista Serbska do ia kthejë “nderin” Albin Kurtit për mos shpalljen organizatë terroriste në Republikën e Kosovës, njëkohësishtë në sytë e BE ajo do të prezantohet si faktor i depërshkallëzimit të situatës në veri”, tha Berisha për GazetaBlic.


