Kombëtarja e Shqipërisë do të ballafaqohet me Çekinë të enjten.
Shqipëria dhe Çekia ballafaqohen të enjten me fillim nga ora 20:45, në kuadër të grupit E për kualifikueset e kampionatit evropian 2024, shkruan GazetaBlic Sport.
Kjo ndeshje ka interesim të jashtëzakonshëm, teksa biletat u shitën për një ditë, e stadiumi “Air Albania” pritet të jetë i stërmbushur edhe njëherë, pavarësisht se biletat ishin me çmim më të shtrenjtë se zakonisht.
Trajneri i mirënjohur shqiptar, Mirel Josa në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’ tha se kjo nuk është një ndeshje që vendos gjithçka, por që kemi avantazhin e madh të terrenit vendas.
“Shqipëria vazhdon konsolidimin si ekip. Nuk është vendimtare. Kemi edhe tre ndeshje të tjera. Si Shqipëri, ne kemi një avantazh që luajmë përballë tifozëve tanë dhe kemi një rritje në lojën sulmuese si ekip. Kjo na jep optimizëm”, tha fillimisht Josa.

Tutje, Josa komentoi edhe prezencën e të gjithë futbollistëve nga të gjitha trevat shqiptare në kombëtare, të cilët i kanë dhënë skuadrës një sukses të jashtëzakonshëm.
“Normalisht, vlerësime të mëdha për të gjithë këta lojtarë që zgjodhën Shqipërinë, sepse i japin një impuls të jashtëzakonshëm skuadrës“, përfundoi Josa.
/GazetaBlic Sport/


