Sporti

Presidenti i Napolit: Faleminderit Zotit që nuk e solla Enriquen, shikoni se çfarë po bën ai në PSG

10/10/2023 15:11
nga:L J

Napoli humbi në shtëpi nga Fiorentina 3:1 në xhiron e 8-të të Serie A të dielën dhe u gjend shtatë pikë prapa liderit, Milan. Kampioni aktual nuk e ka nisur më së miri sezonin në kampionat, ndërsa në Champions League pas dy xhirosh ka tre pikë.

Luciano Spalletti, i cili e drejtoi klubin drejt titullit të parë pas 33 vitesh sezonin e kaluar, nuk është më në stolin e Napolit. Spalletti mori kombëtaren italiane dhe Rudi Garcia e pasoi në stolin e Napolit. Presidenti i klubit Aurelio De Laurentiis komentoi situatën në klub në një konferencë për shtyp në Romë.

“Jam i sigurt se këtë sezon do të luftojmë për titullin kampion deri në fund. Unë kam qenë në kontakt me disa trajnerë këtë verë. Thiago Motta nuk donte të vinte, dhe gjithashtu mbajta disa biseda me Luis Enrique. Falë Zotit që nuk e solla unë, shikoni çfarë po bën me PSG-në”, tha De Laurentiis dhe komentoi idenë që Superkupa e Italisë të luhet sërish në Arabinë Saudite:

“Ai që dëshiron të luajë Superkupën në Arabi është budalla. E shihni se çfarë po ndodh në Izrael? Jam i sigurt se fluturimi mbi atë rajon do të ndalohet. Dhe tani do të shkojmë atje që dikush të fitojë pak miliona më shumë? Le të luajmë në Olimpico”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport