Sporti

Shqipëri – Çeki, konfirmohet numri i tifozëve mysafirë në ‘Air Albania’

10/10/2023 13:18
nga:Mergim Rreci

Kombëtarja e Shqipërisë do të ballafaqohet me Çekinë të enjten.

Shqipëria dhe Çekia ballafaqohen të enjten me fillim nga ora 20:45, në kuadër të grupit E për kualifikueset e kampionatit evropian 2024, shkruan GazetaBlic Sport.

Kjo ndeshje ka interesim të jashtëzakonshëm, teksa biletat u shitën për një ditë, e stadiumi “Air Albania” pritet të jetë i stërmbushur edhe njëherë, pavarësisht se biletat ishin me çmim më të shtrenjtë se zakonisht.

Me një fitore të mundshme, Shqipëria pothuajse do ta siguronte kualifikimin në Kampionatin Evropian, gjë që do të ishte një sukses i madh.

Shefi i departamentit të komunikimit në FSHF, Andi Vreçani ka konfirmuar për ‘GazetaBlic Sport’ se rreth 850 tifozë çekë do të jenë të pranishëm të enjten në ‘Air Albania’, për ndeshjen mes Shqipërisë dhe Çekisë.

“600 tifozë çekë do të jenë në sektorin e mysafirëve, kurse 250 prej tyre do të jenë në tribunën kryesore”, tha Vreçani në konfirmimin e tij.

/GazetaBlic Sport/