Ish-reporteri i Tanjugut, dëshmitari i Nebojsha Radosheviq tha se nuk ka ushtruar padi për ato të cilat pretendon se i kanë ndodhur nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), me arsyetimin se “shteti ishte në luftë me UÇK-në”.
Këtë deklarim, ai e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes rreth asaj nëse ka ushtruar padi për ato të cilat pretendonte se i kanë ndodhur.
Tutje, Radosheviq tha se lidhur me atë së çfarë i kishte ndodhur nuk e kishte përmendur zyrtarisht deri në vitin 2011 apo 2012 përveç në një intervistë në vitin 1998, për të cilën thotë se nuk është e sigurt nëse është regjistruar.
Dëshmitari Radosheviq thotë që s’e kanë ditur se Adem Demaçi lëshonte autorizime për mediat kur dëshironin të vizitonin zonat e UÇK-së
Ish-reporteri i Tanjugut, dëshmitari Nebojsha Radosheviq, gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, tha se nuk kanë ditur se Adem Demaçi lëshonte autorizime për mediat, kur dëshironin të vizitonin zonat e kontrolluara nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).
Këtë deklarim, ai e bëri duke u përgjigjur në pyetjen e avokatit të Thaçit, Gregory Kehoe se pse nuk kanë kërkuar autorizim nga Adem Demaçi për të vizituar atë zonë ku janë ndaluar, e që kontrollohej nga UÇK-ja, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Po ashtu, dëshmitari u ballafaqua me deklaratat e tij kundërthënëse të dhëna në hetuesi dhe dje gjatë dëshmisë, lidhur me atë se sa metra kanë lëvizur dhe nuk janë ndalur pas urdhrit të parë të UÇK-së për t’u ndalur.
Ish-reporteri i Tanjugut po vazhdon edhe sot dëshminë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, edhe të martën po vazhdon marrja në pyetje nga pala mbrojtëse e dëshmitarit të Prokurorisë (me kodin 03880), Nebojsha Radosheviq- ish-reporter i Tanjugut, i cili është dëshmitari i 28-të në këtë çështje.
Ky dëshmitar dje në ditën e parë të dëshmisë së tij i është përgjigjur pyetjeve të Prokurorisë dhe pyetjeve të avokatit të ish-Presidentit Hashim Thaçi, Gregory Kehoe, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në fillim të seancës, avokati Kehoe kërkoi të diskutonte me trupin gjykues lidhur me informatat siç tha ai të reja të bëra publike dje nga dëshmitari.
Sipas avokatit Kehoe, informata e dhënë dje nga dëshmitari Radosheviq është lidhur me një përgjim që i është bërë gjatë luftës në Kosovë, të një bisede telefonike në mes të Hashim Thaçit dhe Adem Demaçit.
Lidhur me këtë rast, Prokuroria ka thënë se sapo ka marrë këtë informatë, e kanë njoftuar mbrojtjen. Ndërsa, avokati Kehoe i është kundërpërgjigjur Prokurorisë duke kërkuar nga ta t’i publikojnë të gjitha kontaktet që Prokuroria ka pasur me këtë dëshmitar dhe t’ia dorëzojnë trupit gjykues.
Ndryshe, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.
Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.
Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.
Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.
Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.
Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq me 15 qershor ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit i nëntë.
Më 19 qershor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i dhjetë, në ditën ku ka filluar dëshminë dëshmitari i 11-të i cili e ka përfunduar dëshminë e tij më 20 qershor. E më 10 korrik ka filluar dëshminë dëshmitari i 12-të, i cili ka përfunduar dëshminë më 11 korrik, në seancën ku ka filluar dëshminë Rrustem Mustafa, ish-komandat i zonës operative të Llapit.
Mustafa ka vazhduar dhënien e dëshminë së tij në seancën e 12, 13, 14, 17 dhe 18 korrikut.
Ndërsa dëshmitari i 14-të me radhë, Francis Ladwidge, oficeri britanez që shërbeu në Kosovë filloi dëshminë po më 18 korrik dhe e mbaroi më 19 korrik, ku nisi dëshminë dëshmitari i 15-të, i cili e përfundoi më 20 korrik.
Kurse, më 14 gusht filloi dhënien e dëshmisë dëshmitari i 16-të, e që e përfundoi më 16 gusht dhe më 17 gusht përfundoi dëshminë dëshmitarja e 17, Dragica Bozhaniq.
E dëshmia e dëshmitarit të 18-të ka filluar më 28 gusht dhe ka mbaruar më 29 gusht, në ditën kur filloi dëshminë dëshmitari i 19-të, i cili përfundoi dëshminë më 30 gusht.
Më 4 shtator përfundoi në të njëjtën ditë dëshminë dëshmitari i 20-të, kurse pa masa mbrojtëse, dëshmitari i 21-të, Agim Idrizi filloi të dëshmojë, i cili përfundoi dëshminë më 5 shtator, ku edhe filloi dëshmia e zyrtarit nga organizata ndërkombëtare “Human Rights Watch”, të Frederick Abrahams, i cili përfundoi më 11 shtator.
Më 11 shtator ka përfunduar edhe dëshmia e dëshmitarit të 23-të, ndërkaq më 12 shtator ka filluar të dëshmojë dëshmitari i 24-të.
Në të njëjtën ditë ka filluar dëshminë dëshmitari i 25-të Douglas Young, ish-oficer i ushtrisë britanike, i cili ka përfunduar dëshminë më 14 shtator.
Kurse, më 25 shtator ka filluar dëshminë dëshmitari i 26-të, i cili ka përfunduar më 26 shtator, ku në seancë të mbyllur ka filluar dëshminë dëshmitari i 27-të. Më 9 tetor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i 28-të, ish-reporteri i Tanjugut, Nebojsha Radosheviq (me kodin 03880), i cili po vazhdon dëshminë edhe sot.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi


