Përfshirja ‘këmbë e kokë’ e Vjosa Osmanit në çështjen e dialogut, nga Zyra e Presidencës thonë se nuk është diçka e re pas situatës së krijuar me 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku dhe ku Serbia tentoi aneksimin e veriut të Kosovës, raporton Gazeta Blic.
Blerim Vela shef i stafit të Presidencës thotë për “Expose” se sa herë Kosova është koordinuar me amerikanët ka pasur një kurorëzimi të suksesshëm të qëllimeve të Kosovës.
“Pra, më 27 shkurt dhe 18 mars, Kosova ka marrë disa obligime për sa i përket marrëveshjes me Serbinë dhe në atë listë të obligimeve njëra pikë parasheh krijimin e një mekanizmi koordinues, nëse mund ta quajë të komunave me shumicë serbe dhe ky është obligim që është pajtuar edhe qeveria, presidenca ndonëse ka pasur disa komente se si e gjithë marrëveshja mund të forcohej tutje, por në mënyrën se si është paraqitur te ne ‘merre ose leje’, thjesht është pranuar si e tillë në mirëbesim, jo në raport me Serbinë, por me partnerët tanë ndërkombëtar që mund ta arrijmë qëllimin tonë, pra fuqizimin e njohjes tonë ndërkombëtare”, tha ai për emisionin “Expose”, prodhim i Gazeta Blic.
Sipas tij, sa i përket zhvillimeve të fundit presidentja ka qenë konsistente në qëndrimet e saj dhe nuk ka diçka të re.
“Edhe në takimet koordinuese që i mban me kryeministrin dhe kryekuvendarin temat dakordohen dhe diskutohen. Dallimet që mund të ekzistojnë, mund të diskutohen në këto takime, por në veprimtarinë e tyre publike dhe në qëndrimet publike që shprehen duhet kuptuar që presidentja si udhëheqëse e politikës së jashtme merr iniciativa kur e vlerëson që është në interes të Kosovës, të avancohet pozicioni i saj dhe unë besoj se ky është njëri prej këtyre rasteve”, thotë ai.
Sipas Velës, akti terrorist agresiv i Serbisë që ndodhi me 24 shtator i krijon një shans Kosovës që të pozicionohet më mirë për sa i përket Serbisë edhe në dialog.
Ky zyrtar i lartë në presidencën e Kosovës, ka thënë se para se të ketë ndonjë takim të çfarëdo formati për dialogun, së pari Kosova do të kërkoj që Serbia të heq dorë nga tentativat e saj për aneksimin e veriut apo vendosjen e ushtrisë pranë kufirit me Kosovën.
Vela thotë se do të kërkohen veprime konkrete nga SHBA ndaj Serbisë.
Nëse do të ketë ndryshim të formatit e që do të nënkuptonte se presidentja Vjosa Osmani mund të udhëhiqte me dialogun, Vela ka thënë se para kësaj Kosova ka disa kushte.


