Lajme

I nxehti ekstrem rrit vdekshmërinë

10/07/2023 18:21
nga:Y I

Një raport i fundit nga Departamenti i Shëndetit Publik të Qarkut Maricopa, në Phoenix, Arizona, zbulon se mbi 200 njerëz humbën jetën për shkak të vapës këtë vit.

Vdekjet ilustrojnë rrezikun e madh nga nxehtësia edhe në vende si Phoenix, ku banorët janë të njohur me temperaturat ekstreme dhe ku zyrtarët e shëndetit publik janë shumë të përqendruar në këtë çështje.

Të dhënat nga vitet e kaluara tregojnë se vdekjet nga nxehtësia janë të ndërthurura edhe një sërë krizash të tjera përfshirë këtu sipas ekspertëve edhe krizën e strehimit në disa zona të Phoenix.

Jeff Johnston, kryemjeku i qarkut Maricopa: Është e rëndësishme të kuptojmë se me vdekjet e lidhura me nxehtësinë dhe shumë gjëra të tjera, ne jemi vërtet të fokusuar në efektet akute. Pra, nëse dikush ka një kondicioner që prishet dhe papritmas ai është në një banesë të nxehtë dhe vdes, por ne do t’i kapim ato raste. Nëse dikush vdes duke punuar në punën e tij për shkak të ekspozimit ndaj nxehtësisë, ne do t’i kapim ato raste. Rastet që mund të humbasim, megjithatë, janë lloji sëmundjeve kronike. Pra, nëse keni dikë që, të themi, ka sëmundje të zemrës, ata e kanë pasur atë për vite, vite dhe vite, ata përfundimisht vdesin nga sëmundjet e tyre të zemrës, ndoshta shkojnë në spital.

Johnson shpjegon se çdo verë, konkretisht në korrik, zyra e tij sheh një rritje të rasteve. 2022 dhe 2023 kanë qenë më të këqijat, shpjegoi ai. Phoenix vendosi një rekord të temperaturave të larta që tejkaluan 50 gradë. Sipas ekspertëve e larte mbeti edhe temperatura gjatë netëve.

Jeff Johnston: Kolegët tanë në Shëndetin Publik kanë numëruar numrin e vdekjeve nga nxehtësia dhe aktualisht jemi në 202 vdekje të konfirmuara, me 356 ende nën hetim. Këto dy vitet e fundit kanë qenë të ndryshme. Unë mendoj se ngrohja globale po kontribuon gjithnjë e më shumë në rritjen e temperaturave të cilat zgjasin deri në disa muaj me radhë duke vendosur rekorde. Por në të njëjtën kohë, është me të vërtetë , shumë e rëndësishme për të mos humbur fokusin në rritjen e numrit të njerëzve vulnerabël në shoqërinë tonë ndaj nxehtësisë ekstreme pasi ndonjëherë imuniteti i disa njerëzve nuk e përballon dot një temperaturë mbi 40 gradë.

Më shumë se 80 milionë banorë amerikanë u përballen me nxehtësi ekstreme këtë verë. Rekorde u vendosën në shtetet Four Corners, Teksas, Luginën e ulët të Mississippi dhe Florida Jugore.

Në Qendrën Mjekësore Valleyëise, Dr. Frank LoVecchio, një mjek i urgjencës, ka qenë në krye të trajtimit të rasteve të lidhura me nxehtësinë.

Dr. Frank loVecchio: Kemi parë dhjetëra e dhjetëra raste ku njerëzit mund të kishin humbur jetën. Kemi parë temperatura ekstreme. Kemi pasur raste ku njerëzit kanë ardhur në qendrën tonë dhe i kemi bërë banjë me akull në përpjekje për të shpëtuar jetën e tyre. Fatkeqësisht, jo të gjithë u shpëtuan.

Goditja nga nxehtësia, shpjegon Dr. LoVeçhio, është më alarmante për t’u përballur, pasi është sfiduese për t’u trajtuar dhe mbart pasoja të rënda.

Dr. Frank loveçhio: Pra, goditja e nxehtësisë është ajo që nuk duam kurrë, e dini, e vështirë për ne për ta trajtuar, e vështirë për pacientët dhe dëmtimi i trurit dhe mbi të gjitha dëmtimi i organeve ka probabilitet shumë të lartë. Ajo që ne shohim tek ata pacientë është se ata vijnë pa ndjenja, probleme me frymëmarrjen dhe lodhje ekstreme. Ne shohim njerëz që ndoshta nuk mund të na përgjigjen, kanë shumë herë të vjella, mund të kenë atak në zemër si dhe dështim të veshkave.

Të dhënat e vdekjeve ofrojnë një pamje të plotë se i nxehti ekstrem po merr gjithnjë e më shumë jetë në shumë vende të botës. Vitin e kaluar, nxehtësia kontribuoi në 425 vdekje në qarkun Maricopa, që ishte rreth 25% më shumë se në 2021, sipas një raporti të publikuar muajin e kaluar.

Rreth 56% e vdekjeve nga nxehtësia përfshinin njerëz të pastrehë. Dy të tretat e vdekjeve përfshinin përdorimin e drogës ose alkoolit.

Kujtojmë se gati 62,000 njerëz humbën jetën nga i nxehti vitin e kaluar gjatë verës më të nxehtë të regjistruar në Evropë duke dhënë edhe më shumë prova tronditëse se nxehtësia është një vrasës i heshtur dhe viktimat e saj nuk regjistrohen.

Studimi, i botuar në revistën Nature Medicine, zbuloi se 61,672 humbën jetën në Evropë nga sëmundjet e lidhura me nxehtësinë midis 30 majit dhe 4 shtatorit të vitit të kaluar. Italia ishte vendi më i goditur, me rreth 18,000 vdekje, e ndjekur nga Spanja me pak më shumë se 11,000 dhe Gjermania me rreth 8,000.

Studiuesit zbuluan gjithashtu se nxehtësia ekstreme dëmton në mënyrë disproporcionale të moshuarit dhe gratë. Nga gati 62,000 vdekjet e analizuara, shkalla e vdekshmërisë së lidhur me nxehtësinë ishte 63% më e lartë tek femrat sesa tek meshkujt. Mosha ishte gjithashtu një faktor i rëndësishëm, ku numri i vdekjeve u rrit ndjeshëm për njerëzit e moshës 65 vjeç e lart.

Vala e nxehtësisë e vitit 2003 ishte një thirrje zgjimi. Ajo tregoi se Evropës dhe shumë vende të tjera të botës i mungon lloji i gatishmërisë për të parandaluar vdekjet masive nga nxehtësia dhe ekspozon natyrën e brishtë të sistemit shëndetësor veçanërisht pasi ekstremet e motit bëhen më të shpeshta dhe intensive.