Shefi i stafit të Vjosa Osmanit, Blerim Vela në një intervistë për GazetaBlic ku foli për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, thotë se Serbia ka shkuar në skenarin e njejtë si të Rusisë.
Vela thotë se, Serbia ka qenë e parapërgatitur për një sulm terrorist të tillë.
“Serbia e ka ndjekur të njejtin skenar që e ka ndjekur Rusia, kanë tentuar që në një periudhë të caktuar të fitojnë betejën informative. E keni parë se në muajt e fundit, janë shtuar zërat nga Beogradi se kinse po ndodhë një pastrim etnik, apo shtypje e komunitetit lokal serb në veri që do ta krijonte arsyen për intervenim”, tha Vela.
“Kjo ka qenë një parapërgatitje e terenit me veprime konkrete të këtyre grupeve kriminale, që në fakt dolën që janë grupe paramilitare. Me 24 shtator e kemi pasur edhe aksionin e tyre të parë, me informacionet që kemi mbledhur pas kësaj date ne e kemi pamjen më të qartë që Serbia ka tentuar të realizojë aneksimin ose okupimin e Veriut të Kosovës”, shtoi ai.
Vela thotë se arrestimi i Milan Radojçiqit nuk mjafton, sipas tij, ky i fundit duhet të ekstradohet në Kosovë dhe të përballet me drejtësinë e Kosovës.
“I gjithë fokusi i institucioneve të Republikës së Kosovës është që të shpjegojë e të defaktojë, gjë që jemi duke e bërë në vazhdimësi, lidhjen e lidershipit politik dhe ushtarak të institucioneve të sigurisë të Serbisë, me veprimet e grupeve të udhëhequra nga Milan Radojçiq, i cili sot është arrestuar në Serbi, por kjo nuk mjafton”, tha Vela.
“Ai duhet të ekstradohet në Kosovë, secili anëtar i cili ka hyrë në Serbi ose që është në Serbi momentalisht, ku edhe mund të jenë pjesë e një planifikimi për veprime të mëtutjeshme, ata duhet t’i dorëzohen organeve të drejtësisë në Kosovë”, tha Vela për GazetaBlic.
Intervista e plotë:


