Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar sot me liderët e partive opozitare, me të cilët ka diskutuar për situatën në veri të vendit, pas sulmit terrorist të së dielës.
Për takimin dhe si duhet të veprohet tutje në dialog, Bilall Sherifi nga Nisma për Kosovën, thotë për Gazeta Blic se Osmani ka bërë detyrën e saj, ndërsa që në të ardhmen s’ka rrugë tjetër pos dialogut.
“Duke i takuar përfaqësuesit e partive parlamentare në opozitë, presidentja ka bërë detyrën e saj. Asgjë e pazakontë. Ndërsa se si duhet vepruar në të ardhmen, nuk ka rrugë tjetër pos dialogut”, thotë ai.
Sipas Sherifit, Kurti tani duhet të kërkojë njohje formale dhe nuk guxon të humbet kjo mundësi.
“Natyrisht që pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit ku Serbia ka bërë agresion mbi Kosovën, gjërat kanë ndryshuar. Pas fitores nga policia në terren, tash kjo duhet të kapitalitohet nga politika! Konsideroj që tash kryeministri Albin Kurti duhet të kërkojë njohje formale. Pra, pas zhvillimeve të fundit Kosova nuk duhet të mjaftohet me njohje de facto! Kjo mundësi nuk guxon të humbet”, vlerëson ai për Gazeta Blic.
Ai shton se ajo që ka ndodhur në veri, është vazhdim i politikës së Serbisë ndaj Kosovës me mjete të viteve të 98-99.
“Përndryshe, ajo që ka ndodhur në veri nuk është asgjë tjetër përveç “vazhdim i politikës së Serbisë ndaj Kosovës me mjete të viteve 1998/1999””, deklaron Bilall Sherifi./Gazeta Blic/
Osmani: Duhet të ulemi me ShBA-në dhe të përgatisim draftin tonë (të Asociacionit)


