Lajme

Abdixhiku për takimin me presidenten Osmani dhe shefin e AKI-së: Na duhet unitet nacional

09/27/2023 12:50
nga:N M

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka dhënë detaje nga takimi që ka pasur me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, ku në këtë takim ka qenë i pranishëm edhe ‘kryespiuni’ i Kosovës Petrit Ajeti, pas sulmit terrorist që ndodhi me 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, raporton Gazeta Blic.

Sipas kreut të LDK këtë takim është diskutuar për gjendjen e sigurisë në veriun e Kosovës.

“Mbrëmë, kam pranuar ftesë nga Presidentja e Kosovës për takim të përbashkët me të dhe Drejtorin e AKI-së. Këtë mëngjes, në takimin e përbashkët, jam informuar mbi gjendjen e sigurisë në veri të vendit dhe angazhimin e institucioneve shtetërore – veçmas ato të sigurisë e inteligjencës – në përballje me sulmet terroriste gjatë ditëve të fundit; dhe jo vetëm”, ka shkruar ai ndër të tjera.

Njoftimi i plotë:

Të dashur qytetarë,
Mbrëmë, kam pranuar ftesë nga Presidentja e Kosovës për takim të përbashkët me të dhe Drejtorin e AKI-së. Këtë mëngjes, në takimin e përbashkët, jam informuar mbi gjendjen e sigurisë në veri të vendit dhe angazhimin e institucioneve shtetërore – veçmas ato të sigurisë e inteligjencës – në përballje me sulmet terroriste gjatë ditëve të fundit; dhe jo vetëm.
Kam shprehur mirënjohjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të gjithë në shërbim. Kam shprehur po ashtu domosdoshmërinë e unitetit nacional në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia; si shtet sponsorizues e strehues i terroristëve.
Djemtë e vajzat tona fituan betejën kundër terrorizmit në terren.
Është koha ta fitojmë atë diplomatike në politikë.
Në këtë përpjekje jemi bashkë. Në këtë përpjekje na duhen aleatë.