Lajme

E Dielë e Zezë

09/24/2023 09:08
nga:Gazeta Blic

Shkruan: Shenoll Muharremi

Sot u sulmuan dhe është vrarë një pjesëtar i policësë së Kosovës. Ngushëllimet të thella familjes së policit i cili u vra duke e mbrojtur pragun e shtëpisë.

Ky sulm i organizuar pason pasiqë më herët policët tanë janë rëmbyer dhe pasi është ndërprerë dialogu politik. Serbia vazhdon të jetë eksportuesi i dhunës dhe destabilitetit në rajon, por njëherit edhe përkrahet nga SHBA dhe BE. Sot Serbia i ka shpallur luftë Kosovës.

Kjo është një situatë shumë komplekse e sigurisë kombëtare që mund të përshkallëzohet dhe njëherit të jetë fillimi i imponimit jo vetëm të asociacionit por edhe tendencës për ndarje të veriut.

1. Serbia vazhdon të destabilizoj Kosovën dhe demostroj që plani i saj për autonomi për serbët në veri do të zbatohet edhe me dhunë e luftë nëse ka nevojë;

2. Përkundër agresivitetit ndaj Kosovës dhe vendeve tjera, Serbia po përgëdhelet dhe përkrahet nga SHBA dhe BE. “Serbia duhet të vazhdojë të jetë konstruktive’ tha emisari i SHBA të premten. Ky është një indikatorë që Qeveria e Kosovës e ka humbur lojën në diplomaci dhe tavolinë dhe i ka kthyer miqët tanë në përahës të Serbisë; Kosova gjithmonë i ka fituar betejat me Serbinë jo që është e fortë ushtarakisht por nga partneriteti me SHBA dhe BE. Ky rregull është thyer nga qeveria pa krijuar kapacitete mbrojtëse. Tani po kërcënohet siguria kombëtare si rezultat. E drejta ligjore e kushtetuese e Kosovës nuk duket se ka shumë fuqi dhe ndikim karshi forcave në terren dhe kapaciteteve të mbrojtjes dhe sigurisë ku Serbia vazhdon të jetë një fuqi rajonale;

3. U konstatua që largimi nga tavolina sjellë dhunë në terren. Kështu faktet po tregojnë. Veprimet e fundit të qeverisë dhe mungesa e kryeministritë në NYC kanë forcuar pozicionin e Serbisë. Izolimi dhe kritikat e Kryeministrit nga të gjitha anët e kanë forcuar pozicionin e Serbisë e cila ka tashmë edhe ka ‘shpallur luftë’ për shkak se sulmet e organizuara ende po vazhdojnë në veri;

4. Veprimet dhe çasje e qeverisë së Kosovës ka qenë e drejtë dhe ligjore por totalisht e papjekur dhe pamatur në kushtet gjeo-politike që jemi e sidomos krahasuar me kapacitetet dhe forcave reale në terren të sigurisë dhe mbrojtjes. Fuqia bënë drejtësinë dhe këtë nuk e kemi kuptuar si duhet në veri;

5. Kthimi në tavolinë dhe bashkëpunimi me aleatët është çështje e sigurisë kombëtare. Kosova nuk i kontrollon kufinjët e vet dhe nuk ka ushtri dhe infrastrukturë ushtarake me e mbrojtë vehtën nga Serbia. Partneritetit me SHBA dhe Gjermani është më thelbësori dhe më urgjenti për Kosovën në këto momente kritike. Kosova duket se nuk ka cfarë nevojitet me u mbrojtë nga sulmet e organizuara nga Serbia. Kjo shifet për shkak se më herët u rëmbyen zyrtarët e policisë e tash edhe na i vranë në territor të Kosovës. Fuqinë e forcave në terren nuk duhet injoruar anjëherë në strategjinë tonë vepruese në veri;

6. Kryeministri sot duhet të ftoj Këshillin e Sigurisë Kombëtare pa vonesë dhe të bisedoj me liderët tjerë politik për veprimet dhe pozicionet që Kosova duhet të ndërmarrë tash e tutje. Situata e krijuar nuk është më punë vetëm e qeverisë por e gjithë Kosovës. Kurti nuk duhet me vazhdu me ndërmarrë asnjë veprim të ardhshëm vet pa u konsultuar dhe ndëgjuar edhe hisetarët tjerë në vend.

Ky është një moment ku ne të gjithë duhet të jemi mbështetës të institucioneve të shtetit por qeveria nuk duhet të vazhdoj të ndërmarrë veprime të njëanshme dhe pa konsultime.

Duhet fillimisht të bashkërendoj me akterët e brendshëm përfshi edhe opozitën dhe presidentën e pastaj me shumë kujdes të bisedoj me SHBA dhe Gjermaninë, NATO dhe BE. Ky është një moment me potencial përshkallëzimi në luftë guerile në veri që mund të na shpie tek ndarja e veriut apo në scenarion më të butë autonomi.

Andaj, Qeveria dhe Kryeministri ka përgjegjësi kushtetuese të konsultoj dhe marrë parasyesh mendimet dhe propozimet e tjerëve dhe veprimet në dhe rreth veriut të i bënë në bashkëpunim me SHBA e BE. Të kthehet në tavolinën e bisedimeve pa vonesë dhe të zgjeroj ekipin e dialogut dhe rreth veriut duke e bërë më gjithëpërfshirës dhe bashkëpunues me partnerët tanë.