Lajme

“Escobar i shqetësuar nga mesazhet që vijnë nga Prishtina”/Raci: Edhe për Prishtinën shqetësuese pozicionet e ndërmjetësve evropianë!

09/22/2023 18:40
nga:Y I

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar sot se është i shqetësuar nga mesazhet që vijnë nga Prishtina  ku kritikohet emisari i bashkimit Evropian për dialogun, Lajçak.

Ai tha se nuk sheh “asnjë dëshmi të njëanshmërisë” te ndërmjetësi i dialogut Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

“Unë nuk shoh asnjë dëshmi për marrëveshje të fshehtë në punën për të çuar përpara interesin e Serbisë në këtë”, tha Escobar, raporton Gazeta Blic.

Diplomati i lartë amerikan i ka bërë thirrje palës kosovare të jetë më konstruktive.

Në lidhje me deklaratat e Escobar ka folur për “Gazeta Blic” njohësi i çështjeve politike në vend, Gazmir Raci.

Raci deklaroi se edhe për Prishtinën zyrtare janë shqetësuese pozicionet që po mbajnë ndërmjetësit evropianë ku kërkesa e Serbisë për Asociacionin po vendoset si kusht për të vazhduar tutje.

Ai tha se është mirë që ndërmjetësuesi me i përafru qëndrimet e të dy palëve dhe me dal me një dokument të balancuar.

Ai shtoi se nuk duhet që kërkesat e njërës palë të jenë kusht i padiskutueshëm për palën tjetër

“Janë shqetësuese edhe për Prishtinën pozicionet e tilla të ndërmjetësve evropianë ku kërkesa e Serbisë për Asociacionin vendoset si kushti kryesor për të vazhdu tutje. Është mirë që ndërmjetësi me i përafru qëndrimet e të dyja palëve dhe me dal me një dokument të balancuar të sekuencimit. Planin e sekuencimit duhet me e propozu tani Bashkimi Evropian si plan të balancuar dhe nuk ka mundësi që kërkesat e njërës palë të jenë kusht i padiskutueshëm për palën tjetër” tha Raci për “Gazeta Blic”

Escobar ndër të tjera tha sot në deklaratën e tij se pala kosovare duhet të tregojë më shumë pragmatizëm në qasjen e saj ndaj BE-së.

“E rëndësishmja për të dyja palët është që të vazhdojnë t’i përmbahen dialogut. Tani, jam i sigurt që e keni parë deklaratën e z. Borrell [Josep]. Ne, vërtet, po i bëjmë thirrje palës së Kosovës që të jetë më konstruktive. Dhe, më duhet të them që jam pak i shqetësuar nga mesazhet që vijnë nga Prishtina. Unë kam punuar me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian [Miroslav Lajçak]. Unë nuk shoh asnjë dëshmi njëanshmërie. Unë nuk shoh asnjë dëshmi për marrëveshje të fshehtë në punën për të çuar përpara interesin e Serbisë në këtë”

“Ajo çfarë po përpiqemi të bëjmë, ajo që po përpiqet të bëjë BE-ja është krijimi i kushteve për normalizim dhe, gjithashtu, për harmonizimin për integrim në Bashkimin Evropian në të njëjtën kohë. Pra, mendoj se përgjigjja është që të dyja palët t’i dyfishojnë përpjekjet, por pala kosovare të tregojë më shumë pragmatizëm dhe më shumë realizëm në qasjen e saj ndaj Bashkimit Evropian” deklaroi Escobar për Rel raporton “Gazeta Blic.”