Lajme

Mbretëria e Bashkuar i bashkohet thirrjes së BE-së: Të fillojë pa vonesë puna për Asociacionin

09/19/2023 13:46
nga:Sh R

Mbretëria e Bashkuar i është bashkuar gjithashtu thirrjes së Bashkimit Europian që Kosova dhe Serbia të angazhohen në gjetjen e një plani për zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë e ka shpërndarë deklaratën e sotme të përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, i cili kërkoi, ndër tjerash, që të fillojë pa vonesë pouna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Mbretëria e Bashkuar qëndron pas këtij apeli të qartë nga 27 vendet e BE-së që Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të sinqertë pa vonesa të mëtejshme”, thuhet në postimin e ambasadës britanike në “X”.

Në deklaratën e Borrell thuhet se “BE-ja u kërkon palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim” dhe se “kjo nënkupton fillimin e zbatimit bazuar në Propozimin e BE-së pa vonesa të mëtejshme, i cili gjithashtu përfshin detyrimin e të dyja palëve për të zbatuar plotësisht të gjitha Marrëveshjet e Dialogut të kaluar”.

“Puna për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm”, theksohet në deklaratën e bllokut europian.