Sporti

Po shkëlqen me Lirinë në këtë fillim të sezonit, portieri Arlis Shala: Nuk e diskutojmë mbijetesën, do tentojmë Europën

09/18/2023 18:04
nga:L J

Skuadra e Lirisë po kalon momente të mira në Superligën e Kosovës në futboll. 

Një nga më të dalluarit tek skuadra e Lirisë në këtë fillim të edicionit të ri të garave është portieri Arlis Shala, i cili me pritjet e tij po e mban në lojë ekipin prizrenas.

Shala ishte fantastik dje ndaj Prishtinës, ku priti penalltinë ndaj Leotrim Kryeziut dhe disa goditje tjera, për të ruajtur rezultatin 1-1, që ishte edhe verdikti final i ballafaqimit.

Portieri i talentuar thotë se po ndihet shumë mirë tek Liria dhe se shpreson të vazhdojë në këtë formë.

“Fillimi i kampionatit ka qenë shumë i mirë për mua personalisht poashtu dhe për ekipin, shpresojmë të kemi këtë vazhdimësi dhe në ndeshjet e ardhshme”, tha fillimisht Arlis Shala për ‘GazetaBlic Sport’

Më pas, Shala potencoi se pritja e penalltisë së djeshme do ta motivojë edhe më shumë.

“Të presësh penallti është një ndjesi shumë e mirë, po gjithashtu është detyra ime që të mbajë portën e paprekur çdo ndeshje. Normal është një motiv shtesë dhe më bën që të jap akoma më shumë në ndeshjet e ardhshme”, vazhdoi Shala.

Në fund, ai theksoi se Liria nuk e diskuton mbijetesën, teksa thotë se do tentojnë Europën.

“Këtë vit kryesia dhe trajneri kanë krijuar një ekip shumë solid dhe e kemi treguar në këto ndeshjet e para me lojën e mirë që po bëjmë dhe me rezultatet që kemi marrë. Me këtë vazhdimësi ne bësojmë shumë në arritjen e Europës dhe nuk e diskutojmë mbijetesën”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport