Njësitë anti-kontrabandë të Doganës së Kosovës kanë planifikuar që aksionin e sotëm ta zhvillojnë në katër pika kyçe: Prizren, Prishtinë, Gjilan dhe Podujevë.
Kanë marrë informacione se në pikat e shënjuara nga ta po shitet nitro, i njohur si tretës i ngjyrave i futur përmes rrugëve ilegale në Kosovë.
Caku i parë ku do të ndalojnë është Prizreni. Por, rrugës për në destinacion, Doganës i doli një punë e paplanifikuar: një automjet i postave të shpejta për pak sa nuk u përplas me ekipin e emisionit KIKS Kosova.
Fakti që vetura po ngutej, ngriti dyshimet se po transportohej mall i kontrabanduar.
Megjithatë, pas kontrollit të saj, rezultoi se gjithçka ishte në rregull.
Ekipi i Kiks Kosova vazhdoi rrugën për në Prizren, bashkë me ekipin e Doganës. Këta të fundit shpërndanë ekipet në tri pika ku do të zhvillohej aksioni.
Shënjestra e para ishte një dyqan i ngjyrave, i cili rezultoi të mos kishte asnjë mall të kontrabanduar.
Rezultat të njëjtë patën edhe dy aksionet e tjera, të cilat synim kishin kontrabandën me cigare elektrike.
Me më shumë fat në zbulimin e mallit të kontrabanduar ishin kolegët e tyre që zhvilluan aksionin në lagjen “Kodra e Trimeve”. Ata arritën të gjenin 1 mijë e 300 litra tretës, mall i cili dyshohet se hyri nga Serbia përmes rrugëve ilegale.
Së fundi, Dogana e Kosovës ka intensifikuar aksione të tilla në luftën e saj të vazhdueshme në parandalimin e kontrabandës.


